Ngjarje

Përdoruesit e drogës thyejnë izolimin: Dolëm të bëjmë furnizim me hashash

Përse dole nga shtëpia në orar të ndaluar? Kjo pyetje drejtuar K. Dh, i moshës 26 vjeç ka zbuluar se ai nuk ishte thjesht thyes i karantinës, por edhe sepse ai kishte shkelur një urdhër penal të gjykatës që kishte vendosur ndaj tij masën “arrest shtëpiak”. Siç mëson Gazeta “Si” nga burime të policisë, sapo janë marrë gjeneralitetet e të riut që po qëndronte me dy shokë të tij në rrugë, është zbuluar se ai duhej të qëndronte në shtëpi jo vetëm nga Covid-19, por edhe për shkaqe penale. I riu i skeduar në fushën e narkotikëve ka shfaqur shenja stresi, duke u justifikuar: kam dalë të blej drogë, pasi kam dëgjuar në TV që askush nuk duhet të dalë dhe më duhet ta kem rezervë në banesë. Siç tregon burimi i antidrogës për Gazetën “Si” në xhepin e xhupit të K. Dh janë konstatuar 26 doza të vogla me kanabis, të mbështjella në qese farmaceutike. Gjithashtu rë riut iu gjetën edhe 8500 lekë. Në total sasia e drogës ishte 61.6 gramë, tha agjenti i antodrogës. Por i dyshuari deklaron:

K. Dh: Jam përdorues i drogës prej shumë vitesh. Për shkak të emergjencës dhe fatkeqësisë natyrore, duke qenë se lëvizja është e kufizuar i bleva dozat njëherësh që mos të dilja më nga shtëpia. Dëgjova në TV se edhe javën e ardhshme lëvizja do jetë akoma më e kufizuar, ndaj dola dhe e bleva me çmim të mirë nga një person që nuk e mbaj mend mirë. Dola nga shtëpia se kam varësi nga droga dhe nuk duroja dot.

26-vjeçari, i cili u arrestua pas këqyrjes do të referohet të prokurori për prodhim narkotikësh dhe për largim të të burgosurit nga vendi i caktuar nga gjykata dhe më pas pritet që të dalë para gjykatës për masë sigurie. Ndaj këtij shtetasi thotë policia kishte një vendim gjyqësor datë 21 nëntor 2019 arrest shtëpiak dhe ai duhej të qëndronte në vendin e caktuar nga togat e zeza.

Ndërkohë, edhe një i ri tjetër me inicialet A. D, ka thyer vetizolimin dhe e ka kapur patrulla e policisë afër “Rrugës së Elbasanit”. Atij i janë gjetur në xhep katër gramë hashash.
A. D: Për shkak të situatës së Covidit, dola të blija, por gjeta vetëm katër gramë. E bleva 1 mijë lekë gjithsej, kam gjashtë vjet përdorues, më duhej gjendje në shtëpi se nuk di kur do dilja më nga shtrëngimi që thonë do niste të hënën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë