Ngjarje

Përdoruesi i drogës i shpëton nga duart policëve, por gjurmën e zbulojnë qytetarët

Policët kanë një shprehje mes njëri-tjetrit “atë që nuk e kapim dot sot, do ta kapim doemos nesër”. Epo një polic që siç kuptohet është i ri në detyrë, në çastin që nuk e kapi dot të dyshuarin, ka kryer kallëzim tek kolegët dhe kërkon ndihmën e tyre përmes deponimit që ta zbulojnë se kush ishte këmbëshpejti që ju la “puplat” në dorë. Burime të gazetës Si shpjegojnë se seksioni për parandalimin e krimeve mbajti shënim denoncimin e policit J. O, i cili në një ditë normale pune dhe shërbimi ju qep pas këmba-këmbës një të dyshuari dhe kur ai ia mbathi, qytetarët e ndihmuan me një gjurmë që i panjohuri la pas.

Kjo ngjarje ndodhi në Tiranë, teksa inspektori i rendit nën shoqërinë e kolegut po patrullonin në afërsi të sheshit Skënderbej. Polici deklaron “pamë një person rreth 180 cm, rreth 20 vjeç, i veshur me bluzë sportive, me mjekër të shkurtër si të verdhë dhe në krahun e majtë kishte një tatuazh që nuk e kam fiksuar dhe ndaj nuk mund ta përshkruaj”.

Sipas procedurës dy policët e patrullave i janë afruar të panjohurit dhe pas prezantimit e kanë pyetur “a ke sende të palejuara me vete?”

“Ai reagoi në mënyrë të dyshimtë, ndaj dhe për këtë kuptuam se duhet ta kontrollonim fizikisht. Në një çantë të zezë ky shtetas kishte një cigare të vërë vetëm përzierje lënde narkotike dhe një dorezë metalike, të cilat kur ia nxorëm nga çanta, kolegu i kishte në dorë”. Në këto kushte kur kanë vërejtur armën e ftohtë dhe hashashin policët kanë vijuar me procedurën duke i bërë thirrje të riut të mos kryente asnjë lëvizje “Në këtë çast hasëm në kundërshtimin e tij, i kalova dorën e majtë nga pas, por ky shtetas më shtyu, me forcë shtyu dhe kolegun dhe vrapoi në drejtim të Muzeut Kombëtar”, kujton denoncuesi tek kolegët e tij.

Sipas procesverbalit dhe rrëfimit të të dy policëve ata i janë vënë pas me shpejtësi, por i dyshimti rezultoi më i shpejtë e për rrjedhim ai mundi të largohet. “Kur u kthyem në vendin ku e konstatuam dhe morëm sendet e palejuara që ranë në tokë, disa qytetarë na ndihmuan. Na thanë që personi që iku me vrap kishte lënë në shesh motorin tip papaq, në ngjyrë gri dhe në kosh mbrapa kishte mbishkrimin T…

Burimet e gazetës Si tregojnë se pas administrimit të këtyre të dhënave të dy policët pasi kanë falënderuar qytetarët dhe menjëherë kanë njoftuar sallën operative. Nga të dhënat e mëpasshme pikërisht prova që treguan qytetarët duket se është edhe me e rëndësishmja, pasi papaqi me mbishkrimin T, është kërkuar nga administrator i një kompanie.

Burimet e gazetës Si tregojnë se ndërsa papaqi u transportua si provë materiale administratori i kompanisë ka pretenduar se punonjësi i tij e kishte telefonuar dhe i ka deklaruar se e kishte harruar papaqin në sheshin Skënderbej. Nëse ky motor drejtohej apo jo nga 20-vjeçari që u arratis dhe kundërshtoi policinë do të vërtetohet sapo të mbahet një seancë njohjeje në policinë qendrore mes dy policëve dhe të riut me inicialet L. H.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë