Shendet

Përdorimi i kanabisit në adoleshencë shkakton depresion

Disa ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë paralajmëruar prindërit se nuk duhet të qëndrojnë të qetë nëse kuptojnë se fëmija i tyre adoleshent ka përdorur kanabis.
Hulumtuesit thanë se kishin gjetur prova që tregonin se përdorimi i drogërave në adoleshencë mund të shkaktojë depresion kur ata të jenë në një moshë më të madhe. Ata thanë se gjetjet duhet të veprojnë si një paralajmërim për fëmijët, në mënyrë që të mos përdorin drogë gjatë procesit të rritjes, pasi truri është shumë i ndjeshëm.

Përdorimi i kanabisit nga të rinjtë u cilësua si një çështje e rëndësishme e shëndetit publik, veçanërisht në ditët e sotme ku sasia e përdorimit mendohet të jetë më e madhe se më përpara. Rreth një në nëntë adoleshentë përdorin hashashin ose droga të tjera.
Profesori që drejtoi studimin, Andria Cipriani thotë se përgjithësisht prindërit nuk shqetësohen nëse kuptojnë se fëmijët tyre adoleshentë përdorin kanabis dhe shpesh herë shprehen se kjo është thjesht një argëtim i momentit.

“Ky është informacion i rëndësishëm për prindërit dhe adoleshentët. Kanabisi mund të duket argëtues për një moment, por në të ardhmen mund të shkatërrojë imunitetin tuaj,” shprehet Ciprani
Ekipi shqyrtoi edhe 11 studime të mëparshme të cilët kishin analizuar 23.000 të rinj por kjo ishte hera e parë që vërtetohet saktësisht se kanabisi rezulton të jetë kaq i rëndësishëm.
Rreth 6000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kishin kaluar një fazë depresioni për shkak të përdorimit të dograve në vitet e adoleshencës. Studimi gjithashtu shqyrtoi se kanabisi i përdorur në moshën e adoleshencës ishte një faktor shumë i rëndësishëm për gjendjen e ankthit që kanë këta persona.
Profesori i psikologjisë në kolegjin King në Mbretërinë e Bashkuar, Sir Robin Murray tha se kërkimi nuk mund të konsiderohej përfundimtar, por pranoi se gjetjet mund të ishin të sakta.
Ai tha se rreziku i zhvillimit të depresionit ishte më i vogël se sa rrezikua që ka për zhvillimin e sëmundjes së skizofrenisë. Gjithashtu, ai u shpreh se kanabisi është një substancë e cila mund të krijojë shumë probleme shëndetësore, pa marrë parasysh moshën se kur konsumohet dhe asnjë studim nuk mund të tregojë saktësisht dëmet që ai shkakton. /BBC/

Më Shumë