Rend dhe Ligj

Përdorimi i aplikacioneve të koduara nga policët/ Kush bën deklarim të rremë, ndiqet penalisht

Gazeta Si - Hetimet e thelluara të SPAK-ut për të identifikuar grupet kriminale përmes aplikacioneve të komunikimit SKY dhe Encro Chat falë zbërthimit nga EUROPOL, kanë goditur edhe zyrtarë apo punonjës të Policisë së Shtetit.

Pas këtyre zhvillimeve, ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se çdo efektiv që do rezultojë përdorues i këtyre platformave tashmë të zbërthyera nga autoritetet ndërkombëtare do të marrë ndëshkimin e menjëhershëm.

“Për çdo punonjës Policisë së Shtetit, i cili do të rezultojë të ketë pasur akses në rrjetet e komunikimit, qoftë “Sky” apo “EncroChat” do të përjashtohet nga Policia e Shtetit edhe në rast se në ato komunikime nuk rezulton të ketë një aktivitet kriminal”, specifikoi ai.

Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari

Në të njëjtën linjë ka qenë sot edhe zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ka paralajmëruar se çdo punonjës policie duhet të dekllarojë në formular nëse ka përdorur platforma të tilla. Sipas tij, në rast të deklarimit të rremë, asnjë nuk do t'i shpëtojë as ndjekjes penale.

Formularin e vetëdeklarimit, policët kanë kohë 30 ditë për ta plotësuar dhe për të treguar se çfarë celulari kanë përdorur.

“Përdorimi i këtyre platformave nuk ka pasur rregullim ligjor në vendet e BE-së, vetëm tani ka nisur. Por, ajo që është e rëndësishme të kuptojmë, është që çdo punonjës policie duhet të deklarojë telefonin që përdor, - deklaroi Lamallari për A2 CNN. - Nëse ka telefon të përdorur që nuk është deklaruar në formular, do të thotë që ka informacion të paplotë. Kjo përbën deklarim të rremë dhe shkak për ndjekje penale. Ata që deklarojnë përdorimin e platformave të tilla, duhet të thonë pse e kanë përdorur. Nëse njihni dikë që i përdor këto platforma, duhet të qëndroni larg tij. Janë platforma që kushtojnë, nuk justifikohet përdorimi i tyre për kapriço të vogla. 1000 euro kushton Encro dhe 1500 euro abonimi 6-mujor”, theksoi më tej zv.ministri.

Lamallari shpjegoi se arsyeja dhe mënyra e përdorimit të aplikacioneve të tilla u krijua “fillimisht për të ofruar anonimitet dhe siguri të informacionit të shkëmbyer, për ata persona që në një moment të caktuar kishin probleme me policinë. Fillimisht, doli Encro Chat, por me hakimin e tij, pjesa dërrmuese e përdoruesve kaluan në Sky. Këto janë me pagesa shumë të larta. Encro Chat llogaritet të kishte rreth 60 000 përdorues, ndërsa Sky rreth 170.000. Ka pasur 3 milionë mesazhe në ditë vetëm në Encro. Ajo çfarë ndodhi është që në qershor të këtij viti, autoritetet kishin përpunuar 150 milionë mesazhe. Bëhet fjalë për mesazhe të koduara dhe që është e vështirë të kuptohen”, - vijoi zv.ministri.

Përmes një formulari vetëdeklarimi, Ministria e Brendshme do të kalojë në “sitë” të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë pasur akes në aplikacionet e koduara.

Bëhet fjalë për punonjësit e policisë, Gardës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët do të konfirmojnë nëse kanë qenë përdorues të SKY ECC apo Encro Chat.

Urdhri i MB, i cili hyri në fuqi më 4 dhjetor, i ka lënë efektivëve 30 ditë afat për ta plotësuar. Kjo procedurë do të ndiqet nga Agjensia e Mbikëqyrjes Policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë