Ka ndodhur

Përdhunoi dhe vrau 8-vjeçarin në Fier, Klodian Çalamani dërgohet me forcë në Gjykatë

Gazeta Si – Pas rreth tre seancash mungesë dhe shtyrje të gjykimit, Klodian Çalamani është sjellë me forcë në Gjykatën e Fierit i akuzuar për përdhunimin dhe vrajën e 8-vjeçarit Mateo Vasiu.

Ngjarja e cila ndodhi në Greçalli të Fierit në 16 nëntor të vitit të shkuar, tronditi gjithë opinionin publik.

Në seancën e kësaj të hëne, i pandehuri Çalamani do të përballet para akuzave për vrasje dhe marrëdhënie seksuale me dhunë.

Ai është sjellë me forcë nga policia në ambientet e gjykatës, ndërkohë që ka hyrë nga dera e përparme, e cila përdoret nga administrata dhe jo nga hyrja ku  futen të gjithë të akuzuarit e tjerë.

Veprimi i policisë është bërë për të shmangur përballjen me familjarët apo të afërm të familjes së 8-vjeçarit të vrarë.

Gjatë seancës pritet të merren dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve, çka mund të nxjerrin të tjera detaje lidhur me ngjarjen.

Më herët, autori ka refuzuar paraqitjen ne seancat e mëparshme ku përmes një deklarate bënte te ditur se nuk paraqitej dot ne gjykate për arsye shëndetësore

Klodian Çalamani do të përballet me akuzat “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit”.

Ajo që e bëri edhe më tragjike këtë ngjarje, ishte se Çalamani e groposi në oborrin e shtëpisë së tij, në tentativën për të fshehur çdo gjurmë.

Mirëpo, pas denoncimit që bënë familjarët, policia ka ushtruar kontrolle në lagje, ku ka zbuluar gropën në të cilën kishte fshehur trupin e 8-vjeçarit.

I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit.

Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare.

Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën.

Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E.Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten.

Asokohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës me datë 06.08.2009.

Pak ditë pas krimit, shtëpia e Çalamanit u dogj nga persona të paidentifikuar, dyshohet në shenjë hakmarrjeje.

Ngjarja e ndodhur në Grecalli të Fierit, tronditi opinionin publik dhe shkaktoi protesta në qytete të ndryshme të vendit, ku madje u kërkua edhe vendosja e dënimit me vdekje.

Po ashtu, edhe familjarët e Mateos së vogël, protestuan para ambienteve të paraburgimit në Fier ku mbahej vrasësi, duke tentuar të kalonin edhe kangjellat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë