Shendet

Për tre muaj, vetëm 0.9 % e shqiptarëve ka marrë vaksinën

Që ditën që u injektua vaksina e parë anti-Covid, në 11 janar, të tjerat pas saj lidheshin sa me shëndetin aq dhe me ekonominë. Megjithëse sasitë e para ishin të vogla dhe pak shpresëdhënëse, të tjera dërgesa këto herët e fundit ishin disa fish më të mëdha. Vetëm të dielën e fundit dhe të hënën pas saj mbërritën të paktën 47 mijë doza. Megjithëse vaksinimi nisi më një hierarki vertikale: në fillim mjekët  dhe pastaj të moshuarit mbi 80 vjeç e pas tyre  mësuesit, skema nuk ecin në këtë mënyrë. Filluan të vaksinohen njëherësh nga të treja këto grupe. Ajo është prishur radha apo vaksinat që kemi mjaftojnë për të treja këto kategori:

Numri total i mjekëve në vendin tonë është rreth 23.000 dhe sipas të dhënave zyrtare  janë vaksinuar  rreth 82 për qind ose të paktën 18.822 personel shëndetësor dhe staf mbështetës.  Deri në ditën që doli në botim ky shkrim kanë mbetur të paktën edhe 5 mijë vetë nga stafi mjekësor. Nga kategoria e dytë në hierarkinë e vaksinës që janë të moshuarit mbi 80 vjeç, sipas  të dhënave zyrtare janë  4000 vetë nga 82 mijë në total ose  vetëm 5 për qind e tyre. Presin ende dhe 78 mijë të moshuar. Megjithëse ritmi i vaksininim të të moshuarave duket i ngadaltë në raport sa ata përfaqësojnë në numra, të shtunën e javës së fundit nisi vaksinimi edhe për  mësuesit. Deri tani kanë marrë dozën vetëm 1/30 e tyre nga 30 mijë mësues që ka në të gjithë vendin.

Deri në këtë moment kanë mbetur 55 mijë doza të vaksinave si Pfizer ashtu edhe  Astrazeneca. Nga të tre kategoritë e parë për të cilat kanë nisur vaksinimi paralele presin gjithsej të vaksinohen të paktën 110 mijë vetë. ( këto shifra janë me për afërsi sepse vaksinimi po ndodh teksa ky shkrim po përgatitej)

Siç duket për gjysmën e tyre ende nuk kemi një vaksinë. Të hënën përgjatë fillimit të vaksinimit të mësuesve në Lezhë kryeministri Edi Rama, deklaroi se në ditët e ardhshme pritet të vijë një sasi edhe më e madhe e vaksinave. Nëse kjo sasi është të paktën sa dërgesa e fundit, atëherë rezulton se të paktën për tre kategoritë: mjekët, të moshuarit mbi 80 vjeç dhe arsimtarët problemi quhet i zgjidhur. Çdo gjë do të varet nga ritmi i vaksinimit.

Por nëse  gjykohet nga të dhënat në total rezulton se që nga janari, pra në tre muaj, Shqipëria ka rritur të vaksinojë vetëm 0.9 për qind të popullatës. Kjo shifër të paktën deri në këto momente ç’mitizon perceptimin se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt imunizimit duke  bërë edhe më të vështirë për tu besuar se do të jemi “të pastër” në nisje të sezonit turistik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë