Shendet

Sa ditë duhet të izolohen tani të infektuarit me Covid-19?

Deri në momentin që u shfaq Covid-19, ne nuk mund ta mendonim se do të luftonim me një virus pa e ditur se e kishim atë. Ka një sërë infeksionesh të tilla si Covid-19 dhe shumë njerëz nuk i dinë se i kanë, por në këtë rast gjithçka është ndryshe. Asimptomatikët me Covid-19 mund të infektojnë të tjerët po aq sa ata që kanë simptoma. Pikërisht asimptomatikët janë një arsye pse ekspertët theksojnë me forcë se të gjithë duhet të mbajmë maska kudo, duke i mëshuar faktit që është vërtetuar se Covid-19 mund të përhapet edhe nga ajri.

Ndryshimi i protokollit që duhet të zbatohet për çdo person të prekur nga Covid-19

Një studim i fundit nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), thotë se të dhënat e fundit tregojnë se gjatë kësaj periudhe virulenca e Covid-19 ka rënë ndjeshëm. Studimi i cili përcakton gjetjet e reja për daljen nga izolimi për çdo të prekur tregon se vijon të mbetet i njëjti protokoll për personat që kanë hasur një person të prekur nga Covid-19, pra ata duhet të vazhdojnë të izolohen 14 ditë. Ndërkohë, në studim shpjegohet se infektiviteti i pacientëve me COVID-19 nuk dihet ende me siguri. Ajo çfarë vihet re nga ky studim i rëndësishëm është se të dhënat e reja mund të nxisin një ndryshim në protokollin e përgjithshëm për personat e infektuar nga Covid-19.

ECDC udhëzon se izolimi duhet të përfundojë:
Për rastet asimptomatike:
Pas 10 ditësh izolimi pa pasur nevojë për të kryer një test tjetër.
Për rastet e lehta/të moderuara:
Pasi nuk ka 3 ditë temperaturë dhe përmirësim të simptomave të tjera që nga dita e parë e shfaqjes së tyre. Nëse kane kaluar 10 dite nga fillimi i simptomave, ose nëse kanë kryer dy teste brenda 24 orëve dhe kanë dalë negative
Rastet e rënda dalin nga izolimi:
Në momentin që për tre ditë radhazi nuk kanë temperaturë të lartë dhe përmirësim të simptomave të tjera. Gjithashtu nëse kanë kaluar 14 ditë deri në 20 ditë nga përmirësimi i simptomave të tjera. Ndërkaq OBSH e ka konfirmuar këtë ndryshim dhe në faqen zyrtare të saj ka përcaktuar se kjo e re në protokollin e përgjithshëm për Covid-19, do të zgjidhet nga vetë shtetet nëse do të përdoret apo jo.

Çfarë do të ndodhë në vendin tonë?

Gazeta “Si” është interesuar disa herë pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, për të pasur një pasqyrim më të qartë mbi personat asimptomatikë, sepse deri më tani nuk kemi asnjë të dhënë për ta, pavarësisht faktit se ata ndikojnë në të gjithë intervalin e infektimeve. Ndërkohë Gazeta u interesua edhe lidhur me ndonjë rishikim të mundshëm të protokollit për daljen nga izolimi i të prekurve nga Covid-19, (për vetë faktin që është këshilluar edhe nga OBSH) pavarësisht gjendjes së tyre; por deri tani nuk kemi një përgjigje.

Ndërkaq, duke u mbështetur në studimin e ECDC, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, është shprehur në profilin e tij në Facebook se infeksioziteti i rasteve me COVID-19 është më i shkurtër se sa mendohej në fillim. E kësisoj edhe testet mund të kursehen dhe të përdoren për zbulimin e rasteve te reja.

Për sa u përket personave asimptomatikë, disa studime tregojnë se shumica e transmetimit ndodh rreth fillimit të simptomave dhe se SARS-CoV-2 mund të jetë zbuluar fillimisht në mostrat e sipërme të frymëmarrjes rreth dy ditë para shfaqjes së simptomave. Infeksioni asimptomatik SARS-CoV-2 duket të jetë i zakonshëm dhe do të vazhdojë të komplikojë përpjekjet për ta vënë pandeminë nën kontroll. Në protokollet e përhershme të Covid-19, rezulton që edhe personat asimptomatikë duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi për të paktën 14 ditë. Më herët studime të ndryshme kanë treguar se nivele të lart të virusit janë të pranishme më së shumti në sekrecionet e frymëmarrjes gjatë periudhës “presimptomatike”, një gjendje e cila mund të zgjasë më shumë se sa një javë nga ethet apo kolla karakteristike që kanë të prekurit me Covid-19.

Ndërkohë dy muaj më parë, studiuesit italianë nxorën një raport ku thuhej që personat asimptomatikë mund ta transpetojnë shumë pak virusin tek të tjerët, por kjo gjë u hodh poshtë nga Maria Van Kerkhove, udhëheqësja teknike e OBSH-së për Covid-19. Sipas saj, asimptoimatikët janë ende një e panjohur e madhe dhe ende nuk dihet se sa është niveli i transmetimit saktësisht. Ndërkohë e vetmja gjë që dimë me studime të sakta deri më tani është se kudo nëpër botë janë konstatuar se 1/3 e personave të infektuar janë pa simptoma dhe gjysma e transmetimeve kanë ndodhur përpara se ata të shfaqin simptoma.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë