Nga Gazeta ‘Si’ – ‘Trukimi’ i garës për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar tregoi se Këshilli Drejtues i këtij televizioni i ka humbur ekuilibrat profesionalë.
Fakti se pas akuzave për paligjshmëri, ky Këshill u detyrua të bënte ‘prapakthehu’ me urgjencë duke e rikthyer në pikën zero garën për drejtorin, është tregues se ai e ka humbur tashmë integritetin e tij.
Nëse nuk do të kishte qenë për Komisionin e Medias ku mazhoranca dhe opozita trumbetuan me presion politik se nëse gara nuk do ndërpritej atëherë do të shkarkoheshin anëtarët, Këshilli Drejtues i RTSH nuk do të ishte lëkundur nga mënyra e tij e procesit të zgjedhjes.
Sepse këtë nuk e bëri edhe përgjatë këtyre ditëve, ku parregullsitë e procesit, të cilat qenë jo të pakta në numër, u evidentuan nga një sërë mediash dhe organizatash.
Fakti që nevojiteshka presion politik për të zbatuar ashtu siç duhet sipas standardeve, procesin e zgjedhjeve, është tregues që ky Këshill Drejtues e ka zhveshur veten nga të gjithë normat profesionale, etike e morale.
Këshilli Drejtues ‘shpiku’ disa rregulla të reja që nuk ekzistojnë në ligj, duke shkelur në mënyrë flagrante parimet e procesit të zgjedhjes.
Ai skualifikoi nga gara 8 kandidatë përpara fazës së dëgjimit, duke thirrur në dëgjesë vetëm dy prej tyre. Por kështu Këshilli ra ndesh me vetë dispozitat ligjore të RTSH.
Një kandidat mund të skualifikohet vetëm nëse nuk plotëson kriteret specifike ligjore, si përvoja, kualifikimet drejtuese apo nëse gjendet në konflikt interesi.
Në fund, ajo që ‘i vuri vulën’ është shkelja e procedurave të votimit të fshehtë. Një anëtar që gjendej jashtë shtetit, në Vietnamin e largët, u lejua të votojë duke vënë kështu në pikëpyetje votën e fshehtë.
Të gjitha këto parregullsi, të mbledhura me tërësej, janë tregues se ky Këshill Drejtues e ka humbur busullën e tij të orientimit. Dhe ky nuk është asfare rasti i parë deri tani.
Radio Televizioni Shqiptar është një aset publik që mbahet me taksat e shqiptarëve dhe si i tillë, ai duhet të jetë në shërbim të interesit publik duke iu përmbajtur ligjeve, por edhe normave morale.
Nëse për Këshillin Drejtues të këtij televizioni, është kaq e zorshme t’u përmbahesh shtyllave profesionale dhe sakaq edhe njerëzore dhe meqë kjo ‘formulë’ e zgjedhjes së drejtorit nuk po rezulton e suksesshme, mbase ka ardhur momenti që të gjendet një formulë tjetër gjetkë, e cila mund të jetë më produktive.
Por më së pari, Këshilli aktual duhet të “rrëzohet”. Anëtarët aktualë nuk duhen të jenë më.
Parlamenti duhet të zgjedhë të rinj. Këta që janë, jo vetëm në këtë rast, kanë dëshmuar prej disa vitesh që që nuk i zgjidhin problemet, por shtojnë edhe të reja.
RTSH prej kohësh rrethohet nga shqetësime që nuk lidhen me anën programore por çështje të menaxhimit human dhe strukturor. Shkrirja e këshillit dhe krijimi i një bordi drejtues ndoshta duhet të vijë dhe me një formë tjetër. Drejtori i përgjithshëm duhet të jetë medoemos jo vetëm anëtar i këshillit por dhe kreu i këtij.
Modeli vjen nga Banka e Shqipërisë… aty kryetari i bordit zgjidhet mes anëtarëve dhe pastaj automatikisht është Guvernator.
BSH ka më shumë aktivitet mbikëqyrës sesa operacional dhe për këtë arsye ndoshta është me efikase formula.
Por mesa duket edhe në RTSH ky mbetet problemi: Mbikëqyrja dhe rregulli.
Për sa kohë e bën BSH e cila më së pari është si institucion besimi, le të fillojë RTSH ta ndërtojë këtë besim të rrënuar të publikut me një tjetër staf drejtues dhe tjetër strukturë drejtuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.