Politike

Bungo pranon paligjshmërinë në garën për drejtorin e RTSH: Aurora Polo s’plotëson kriteret, ka shkelur ligjin. Përplaset me anëtarët e Këshillit Drejtues

Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH në lidhje me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm, Kryetarja e Komisionit për Mediat, Ina Zhupa tha se kupa e paligjshmërive, u derdh në këtë proces.

Ajo tha se RTSH është një aset publik dhe nuk është pronë e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe as pronë e asnjë individi që përkohësisht ka një pozicion.

“RTSH është pronë e shqiptarëve. Ky komision ju jep buxhetin si RTSH që nuk është pak, janë 23 milionë euro. Ky komision ju zgjedh ju në funksionet tuaja si anëtarë të Këshillit Drejtues dhe ky komision ndjek ligjshmërinë e veprimtarisë së RTSH dhe tuajën”, tha Zhupa.

Ajo theksoi se sipas saj ka parë çudira gjatë procesit të përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm.

“Kam parë çudira këtu, quani mosplotësim kriteresh se mungon një CV. Nuk është kriter CV. Ku e keni lexuar? Është dokument të cilit ju duhet t’i vini një afat për ta sjellë. Kualifikoni, s’kualifikoni në bazë të kritereve dhe më pas ju zgjidhni atë që doni ju sipas kritereve jo në shkelje të ligjit. Këtë e kam qëndrim personal, jo të komisionit, kjo ishte pika që derdh vazon sepse vazon me paligjshmëri e keni mbushur”, tha Zhupa.

E të njëjtit qëndrim me të, ka qenë edhe nënkryetarja, deputetja e PS-së Evis Kushi.

“Fillimisht na kanë ardhur denoncime, por ne nuk duam t’ju paragjykojmë dhe gjithçka na ka ardhur edhe e dokumentuar dhe kemi lexuar në media duam që t’iu kemi ju përballë të na informoni mbi çfarë po ndodh në lidhje me këtë proces dhe më pas të diskutojmë problematikat dhe zgjidhjet që do të japim”, tha Kushi.

Kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo, u shpreh se në proces ka paligjshmëri.

Ai solli rastin e kandidates Aurora Polo, duke thënë se u fut në garë edhe pse nuk plotësonte kriterin kryesor, dhe sipas tij, po në të njëjtat kushte paligjshmërie ishte zgjedhur edhe zv.drejtoreshë.

“Mendoj se paligjshmëria në procesin zgjedhor për drejtorin e ri, është koshiente sepse nga të gjitha dokumentacionet që kam unë, të gjithë anëtarët e këshillit drejtues e njohin mirë, se zgjedhja e një kandidature, si konkretisht Aurora Polo që u fut në garë së bashku me një tjetër, nuk plotëson kriterin  kryesor për zgjedhjen e drejtorit të ri.

Është një nen në statut që thotë zv/drejtori, Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesit  e njësive administrative të RTSH duhet të kenë të njëjtin suport ligjor. Duhet të kenë mbi 10 vite punë dhe jo më pak se 5 vjet në median e shkruar dhe audiovizive. Në rregulloren e RTSH është edhe një pikë tjetër që thotë që ata që konkurrojnë paraqesin platforma për çështje të tilla duhet të kenë diploma të arsimuara të profilit të tyre, në rastin konkret është e shkelur edhe kjo. Nuk ka as diplomën e profilit të caktuar. Aurora Polo ka mbarur për inxhinieri, nuk ka punuar në media”, tha ai.

Lidhur me shkeljen e ligjit për votimin e fshehtë, Bungo tha se do të bënte një ‘mea culpa’ pasi ishte ai i cili lejoi që anëtari i këshillit Mevlan Shanaj, të votonte nga Vietnami.

“Unë nuk duhej të kisha lejuar që të votonte një anëtar të këshillit nga Vietnami. Nuk e kam ditur por nuk dua të justifikoj fajin. Nga ana juridike nuk keni çfarë më bëni se nuk ka ndikuar në rezultatet. Kjo nuk ishte hera e parë që u bë”, tha Bungo.

Ndërkohë, anëtari Genci Përmeti tha se duhej të kishin një asistencë juridike.

“Kryetari bëri një vetëfshikullim për një anëtar që votoi nga jashtë. Nuk është se nuk u pyet por na u tha që ishte e ligjshme. Ndoshta ne kemi gabuar. Duhej ta kishim kontestuar, por thembra e Akilit duhej të ishte asistencë juridike. Këshilli e ka diskutuar dhe jemi të gatshëm ta diskutojmë këtë argument”, deklaroi ai.

Ndërsa duke folur për mbledhjen e një jave më parë, zv.kryetari i këtij këshilli, Gëzim Podgorica tha se “ne nuk kemi menduar ndonjëherë që jemi të pavarur nga Kuvendi, jemi të përgjegjshëm, jemi njerëz institucionalë dhe eksperienca jonë nuk na lejon që të bëjmë gabime të kësaj natyre.”

Ai tha se ky nuk është rasti i parë kur janë eliminuar kur janë plotësuar të gjitha kriteret.

“E tha edhe kryetari që ka një handikap ligjor, kur votohet, votohet edhe pro, edhe kundër, nuk votohet vetëm pro. Prandaj për sot, por duhet ta kemi edhe në perspektivë, ne duhet të shikojmë si duhet interpretuar kjo pikë, sepse mund të rikthehemi edhe një herë edhe ndodh ndonjë gjë dhe ju na konsideroni sikur kemi shkelur ligjin,” tha Podgorica.

Podgorica u shpreh se “ligji e thotë shumë qartë: “Me mbarimin e afatit të aplikimit Këshilli Drejtues bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura, të mbështetura në dokumentacionin e dorëzuar, vlerëson, verifikon dhe saktëson vërtetësinë e tyre dhe me votim të fshehtë vendos përfshirjen e tyre në konkurrim.” Pra ka mangësi ligji, pasi nëse e thotë që “votimi të bëhet në bllok”, të vijë dokumentacioni me mbështetje ligjore dhe vazhdon procesi”.

Prezent në seancë dëgjimore ishte kryetari i këshillit drejtues Leka Bungo, nënkryetar Gëzim Podgorica dhe anëtarët Genci Përmeti, Ilir Keko, Ardita Reçi, Milena Selimi, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani dhe Albert Minga. Nuk ishin prezent Mevlan Shanaj dhe Dionis Papadhimitri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë