Mode

Për herë të parë mbahet një sfilatë me veshje të krijuara nga inteligjenca artificiale

Në shfaqjen Fashion X AI në Hong Kong, të pranishmit vunë re një cilësi "aliene" në lidhje me veshjet që po prezantonin modelet në pasarelë dhe në fakt kishin të drejtë.

Ishin më shumë se 80 veshje nga 14 stilistë, që u krijuan me ndihmën e softuerit të inteligjencës artificiale AiDA, (Asistenti i Dizajnit Interaktiv i bazuar në AI). Softueri u zhvillua nga studentë të doktoraturës dhe akademikë në AiDLab në Hong Kong.

Të veshura me veshje që varionin nga xhaketat e deri te fundet e tejdukshme, modelet dolën përpara kritikëve dhe stilistëve në një sfilatë shumë të veçantë.

Pjesëmarrësit në këtë sfilatë thanë se po përjetonin të ardhmen e modës.

AiDA mund të krijojë veshje brenda 10 sekondash, duke u kursyer kohë stilistëve.

Dizajneri në Hong Kong, Mountain Yam, ka përdorur AiDA për gjashtë muajt e fundit dhe tha se jo vetëm që i kurseu kohë, por e frymëzoi.

"Marrëdhënia jonë është e krahasueshme me një marrëdhënie romantike. Unë e njoha gradualisht AiDA-n dhe ajo gradualisht njohu modelet e mia.  Në përputhje me linjat, stilet dhe bazat e të dhënave të mia, sistemi propozonte veshje që unë as nuk i kisha menduar”, tha Yam.

AiDA u lançua zyrtarisht me shfaqjen Fashion X AI dhe është në dispozicion të stilistëve në Europë dhe kudo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë