Rend dhe Ligj

Pensionistët nesër lejohen të dalin deri në 11:00, policia: Jo në parqe e lulishte

Kategoria më e rrezikuar për t’u infektuar me Covid-19, pensionistët, janë prej kohësh të mbyllur në karantinë, por sipas kryeministrit Edi Rama nesër ata do të lejohen të dalin për ajrosje.

Ndërkohë, policia sqaron se të gjithë pensionistët lejohen të dalin nga shtëpia deri në orën 11:00.

Sipas policisë, pensionistët nuk duhet të ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte dhe nuk duhet të jenë më shumë se dy persona bashkë. Ndërkohë, për pjesën tjetër në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës.

“Bazuar në urdhrin e fundit të Kryeministrit të vendit, për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë”, njofton policia.

Ndër të tjera policia thotë se në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës. Do të lejohen të qarkullojnë me makinë, të pajisur me autorizim apo në këmbë, në itinerarin shtëpi – punë – shtëpi, pa asnjë ndalesë të gjithë personat që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës. Të gjithë të tjerët duhet të respektojnë masat kufizuese për të mos dalë nga banesa deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke përjashtuar lëvizjet për emergjencat mjekësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë