Ngjarje

‘Pensioni nuk na del as për ilaçe’. Minatorët tentojnë të futen në Kuvend, kërkojnë miratimin e statusit të veçantë

Nga Gazeta Si- Minatorët kanë mbajtur sot një protestë para Kuvendit të Shqipërisë. Pak para nisjes së seancës, ato janë mbledhur duke kërkuar kushte ekonomike dhe statusin e minatorit.

Minatorët kanë deklaruar se pensionet që marrin janë të ulëta dhe nuk u mjaftojnë as për të blerë ilaçe.

“Minatorët duan status, duan kushte ekonomike. Ju na keni lënë në mjerim dhe tani po vuajmë. Secili nga ne ka 2-3 palë ilaçe me vete. Pensioni qesharak që na keni dhënë nuk na del as për ilaçe”, tha njëri prej tyre.

Gjatë protestës së tyre ka pasur edhe momente tensioni me policinë. Disa nga minatorët kanë kërkuar të futen në parlament për të folur me deputetët por janë ndaluar nga policia.

“Nuk jemi këtu për të bërë luftë. Duam të takojmë deputetin përfaqësues”, tha njëri prej tyre.

Statusi i minatorit përfshin sigurimin e jetës për minatorët, rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera, rritjen e pensioneve dhe garantimin e kujdesit shëndetësor për minatorët dhe ish minatorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë