Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim çështjen penale ndaj Suel Çela alias Marjus Lulaj, të akuzuar nga Prokuroria e Elbasanit për veprën penale të “Mbajtjes pa lejë të armëve” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë” në dëm të shtetasit Bledar Karaj.
I lakuar për një sërë ngjarjesh në qytetin e tij, Çela do t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor për heqje të paligjshme të lirisë ndaj Karajt, i cili dyshohet se u mor me automjet dhe më pas u qëllua me armë zjarri në gjymtyrë.
Për të njëjtin episod, sipas Gjykatës së Lartë, çështja do të rivleresohet edhe për të akuzuarin tjetër, Endrit Çopja.
Çështja në fjalë daton qysh prej prillit 2013, kur në Elbasan është marë peng Bledar Karaj.
Fillimisht ky i fundit ka treguar se personi që e kishte marë peng dhe e kishte qëlluar me armë duke e plagosur lehtë në këmbë, ishte pikërisht Marius Lulaj.
Por më pas ai u tërhoq nga ky pretendim, duke u bërë shkak për arshivimin e hetimeve.
Denoncuesi, pas 2013 u procedua për kallzim të rremë edhe pse përgjimet treguan se ai foli me familjarët, duke u dakordësuar që të thoshin në polici se nuk njihnin njeri.
Por hetimet rihapen disa vite më vonë pas shkatërrimit me eksploziv të një lokali në pronësi të Endri Çopjas, ku gjatë këqyrjeve policia gjeti një kartë telefoni.
Ky numër rezultoi se ishte i njëjti që telefonoi Karajn përpara se i dyshuari Suel Çela dhe Endri Çopja ta hipnin me forcë në automjetin e tyre.
Çështja ndaj tyre shkoi për gjykim në gjykatën e Elbasanit, por gjyqtarja paraprake Enkelejda Kapedani vendosi pushimin e ndjekjes penale ndaj tre të pandehurve.
Ndërsa në 8 mars 2022, Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim në Gjykatën e Apelit çështjen në fjalë, duke kërkuar rishikimin e dosjes me trupë tjetër gjyqtarësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.