Ngjarje

Peleshi: Priten reshje gjithë javën! Mund të ketë fryrje të përrenjve rreth Shkodrës, banorët të tregojnë kujdes

Nga Gazeta Si- Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një komunikim me mediat paralajmëron situatën me reshjet që do përfshijnë vendin pas mesditës dhe marrjen e masave që të shmangen dëmtimet.

“Duke filluar nga sot pas mesditës dhe gjatë gjithë javës në pjesën kryesisht veriperëndimore, rreth Shkodrës por edhe në pjesë të tjera të vendit do kemi rritje të intensitetit të reshjeve që mund të shkaktojë fryrje të përrenjve dhe ndonjë situatë që mund të bëhet shkak për përmbytje lokale”, thotë Peleshi i cili shton se lajmi i mirë është se jemi në një stinë që nuk favorizon përmbytjet dhe “një lajm tjetër i mirë është mirë menaxhimi i kaskadës”.

Peleshi thotë se shkarkimi do të jetë 0 në të gjithë territorin. Reshjet në pjesën veriperëndimore mund të shkaktojnë fryrje të përrenjve dhe ndonjë situatë që mund të bëhet shkak për përmbytje lokale dhe duhet të ketë mobilizim të të gjithë bashkive, por edhe banorët të shmangin lëvizjen në rrugë që kërcënohen nga përrenjtë.

“Nuk është një situatë për të cilën duhet ndërhyrja e strukturave të të gjithë sistemit të emergjencave, menaxhohet lokalisht”, tha Peleshi.

Ditën e sotme vranësirat e shpeshta do të përfshijnë të gjithë territorin pothuajse gjatë gjithë ditës, ku pritet që herë pas here vranësirat të pësojnë zhvillime duke gjeneruar reshje shiu në të gjithë vendin tonë. Reshjet më të dukshme do të jenë në zonat Veriore dhe Lindore. Por gjithashtu do të ketë dhe intervale me kthjellime, të cilat më të shpeshta parashikohet të jenë në zonat jugperëndimore.

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes, por mbeten konstante në mesditë duke u luhatur nga 6°C deri në 26°C. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë në det me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi Jugor duke sjellë në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë