Ka ndodhur

Foto/ Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, radhë kilometrike makinash drejt teqesë

Një numër i madh besimtarësh bektashinj i janë drejtuar këtë të diel malit të shenjtë të Tomorrit për t’u bërë pjesë e festimeve të pelegrinazhit të përvitshëm.

Por për shkak të fluksit të madh të automjeteve që në orët e para të mëngjesit, qarkullimi është bllokuar. Mësohet se fluksi është aq i madh, saqë policia rrugore e ka pasur të pamundur të zhbllokojnë qarkullimin.

Rruga që të çon në Teqenë e Kulmakut është bllokuar prej disa orësh, ndaj dhe besimtarët kanë lënë makinat dhe janë ngjitur në këmbë.

Lidhur me këtë situatë, Policia e Beratit i ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve që kanë parkuar mjetet pranë Teqesë, të afrohen pranë tyre, pasi ka fluks të madh të automjeteve dhe parkimet fillestare do ndryshojnë për të bërë të mundur qarkullimin  e makinave që janë në ngjitje.

Gjithashtu, drejtuesit e mjeteve të cilët parkojnë mjetin dhe largohen, duhet të vendosin numrin e tyre të celularit në xhamin e mjetit në mënyrë që të telefonohen kur duhet të lëvizin makinat.

Festa në Malin e Tomorrit nis në datë 20 gusht dhe përfundon në 25, por dita kulminante është e diela, kur pelegrinët kryejnë ritet duke bërë kurban, ndezin qirinj dhe luten.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj uroi dhe u lut ditën e djeshme që ditët e vështira nga pandemia të kalohen me sukses

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë në shenjë mirësie, bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë, duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë