Shendet

Pediatrët: Maskat janë të rrezikshme për fëmijët nën 2 vjeç

“Fëmijët nën moshën dy vjeçare nuk duhet që të mbajnë maska pasi ato mund t’ua vështirësojnë frymëmarrjen si dhe të rrisin riskun e mbytjes”, shprehet një shoqatë mjekësore në Japoni duke u bërë thirrje në mënyrë urgjente prindërve të tregojnë kujdes, teksa vendi po rihapet nga kriza e koronavirusit.

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka hequr gjendjen e emergjencës për zonën e Tokios dhe katër zonave të tjera që kishin mbetur të hënën. Kjo pasi numri i infektimeve të reja ra ndjeshëm. Por ai ka paralajmëruar se masat izoluese mund të rivëhen përsëri nëse vihet re që virusi do nisi të përhapet përsëri fuqishëm.

Foshnjat e porsalindura janë parë në një spital të veshur me mburoja mbrojtëse të fytyrës në mesin e shpërthimit të sëmundjes koronavirus (COVID-19) në Xhakartë, Indonezi, në 14 prill 2020. Foto: Rivan Awal Lingga/ Reuters

Për të parandaluar përhapjen e virusit, ekspertët shëndetësorë anembanë botës janë duke rekomanduar që njerëzit të veshin maska kur shohin se nuk mund të mbajnë dot distancimin social.

Por, Shoqata Japoneze e Pediatrisë ka paralajmëruar prindërit se maskat janë shumë të rrezikshme për foshnjat e fëmijët nën dy vjeç.

“Maskat mund ta bëjnë frymëmarrjen shumë të vështirë veçanërisht tek foshnjat të cilët kanë kanale frymëmarrjeje të ngushta. Gjithashtu ato vështirësojnë punimin e zemrës e duke rritur kështu mundësinë e një goditjeje nga nxehtësia (goditja nga nxehtësia ndodh zakonisht gjatë valëve të mëdha të të nxehtit e në këto raste temperatura e trupit rritet shumë e përbën rrezik për jetën e individit)”, thotë shoqata.

“Le ta ndalojmë përdorimin e maskave tek fëmijët nën dy vjeç", ka shkruar shoqata në një postim në sajtin e saj.

Gjer tani ka pasur shumë pak raste serioze të koronavirusit tek fëmijët. Gjithashtu shumica e fëmijëve janë infektuar nga anëtarët e familjeve e thuajse nuk ka pasur raste shpërthimi të këtij virusi nëpër shkolla fillore apo çerdhe.

Po kështu bie dakort me Shoqatën Japoneze të Pediatrisë dhe Qëndra e ShBA-së për Kontrrollin e Sëmundjeve (U.S. Centers for Disease Control) dhe Akademia Amerikane e Pediatrëve (American Academy of Pediatrics ), të cilët thonë se fëmijët nën dy vjeç nuk duhet të veshin maska apo mbulesa të tjera në fytyrë./Burimi Reuters, përshtati në shqip Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë