Politike

PD: Seranaj u shkarkua se denoncoi keqmenaxhimin pas tërmetit

Partia Demokratike e lidh shkarkimin e Agim Seranajt nga posti i zv.dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit krejtësisht me qëndrimet e tij kritike ndaj strukturave shtetërore për përballimin e pasojave të tërmetit dhe identifikimin e problematikave të ndërtesave që u shemben.

“Profesor Seranaj, një nga profesionistët dhe ekspertët më të mirë në vend, për shkak të eksperiencës së tij në këtë fushë, ka qenë pjesë e ekipeve shtetërore të vlerësimit, për të bërë ekspertim të çerdheve dhe kopshteve, apo institucioneve të tjera. Ndryshe nga drejtuesit militantë apo ekspertët servilë, Prof Seranaj ka folur publikisht për situatën aktuale të ndërtesave duke evidentuar në mënyrë profesionale keqmenaxhimin nga ana e institucioneve të situatës pas tërmetit dhe duke mbrojtur interesin publik”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi.

PD thotë se me këtë akt, Kryeministri Edi Rama tregon se ka vendosur të censurojë jo vetëm mediat, por edhe çdo zë kritik që nxjerr zbuluar përgjegjësinë direkte të tij në numrin e madh të viktimave.

“Tashmë ka vendosur të hakmerret edhe ndaj ekspertëve më të njohur duke urdhëruar shkarkimin e tyre nga detyra për shkak se i kanë prishur propagandën që kishte përgatitur. Dënoj me forcë veprimin e paligjshëm dhe prej ushtari politik të Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit Neritan Shkodrani, i cili pa dinjitet dhe integritet profesional, i është nënshtruar urdhërit politik të Edi Ramës, duke cënuar rëndë autonominë universitare”, thotë Vokshi.

Ish-deputetja demokrate kërkoi nga pedagogët dhe studentët që të reagojnë, duke e cilësuar këtë ndërhyrje flagrante në autonominë universitare dhe e cilëson si veprim prej ushtari politik vendimin e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Neritan Shkodrani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë