Analize

PD, partia e të larguarve, që shumica u rikthyen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u pa i bezdisur kur u pyet (si çdo ditë) nga media rreth lëvizjes së fundit të Jozefina Topallit, duke e mbyllur këtë çështje me përgjigjen se ai kishte të tjera prioritete.

Lëvizja e fundit e Jozefina Topallit që pritet të kthehet në një parti politike zgjedhjet e 25 Prillit është hemorragjia e fundit e Partisë Demokratike, nga e cila prej më shumë se dy dekada janë përjashtuar, shkëputur, por edhe kthyer në këtë forcë politike, ish-themelues të saj, ish-nënkryetar partie dhe njerëz me influencë politike.

Në thelb largimi i tyre si para vitit 2005 apo pas, si para kohës së Lulzim Bashës ashtu edhe pas, lidhet me kontraditat dhe divergjencat me kryetarin e partisë. 

Rrjedhja e parë nga PD-ja ka filluar me përjashtimin e të ndjerit Gramoz Pashko, për të formuar vetëm dy vite më vonë (1992) bashkë me Neritan Cekën, një tjetër i përjashtuar, Partinë “Aleanca Demokratike”. Kësaj force politike i bashkohet grupi i mocionistëve ndaj ish-qeverisë “Meksi”, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Edmond Trako... etj.

Për të vijuar më pas me krijimin e një tjetër partie në vitin 1994 nga ish-bashkëpunëtori i Berishës, Abdi Baleta në krye të partisë “Rimbëkëmja Kombëtare” ndërsa Petrit Kalakula themelon partinë “E Djathta Demokratike”.

I vetmi që nuk krijoi parti politike, pas përplasjes që pati edhe ai me Berishën (1995), ishte ish-kryetari i partisë, Eduard Selami, për t’ju rikthyer PD-së shumë vite më vonë (2013)...

...Në vitin e mbrapshtë të 97-ës një tjetër hemorragji pëson në PD. Prej andej shkëputet Dashamir Shehi, të cilit i bashkohet Genc Ruli i shkëputur më herët bashkë me do përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike.

Atëbotë, krijohet edhe formacioni politik “E djathta e bashkuar”. Në vitin 2001, Shehi i bashkohet PDr-së ndërsa një vit më vonë krijon Partinë Demokratike të Rinovuar, e cila me vonë (2004) ndërron emrin në Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) që deri atëherë funksiononte si koalicion...

...Në vitin 1999, vjen përplasja e madhe mes Genc Pollos ish-nënkryetar i PD-së dhe Sali Berishës për postin e kryetarit të partisë. Në këtë garë, Genc Pollo tërhiqet momentin e fundit, duke marrë me vete edhe zhgënjimin ndaj  bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Sali Berisha.

Në këtë vit, Genc Pollo bashkë me një grup deputetësh nga PD-ja dhe figurash të reja punojnë për krijimin e një partie të re politike, Partia Demokrate e Re. Genc Pollo mori asokohe me vete edhe Ylli Vejsiun, Ferdinand Xhaferrin, Tritan Shehun, Enno Bozdon dhe Kreshnik Collakun.

Eshtë e vetmja parti nga të djathtat që në zgjedhjet parlamentare të 2001-it arriti që të marrë një numër të konsiderueshëm votash duke u përfaqësuar edhe në Kuvend.

Historia e PDr por edhe atyre më të hershme mbyllet në vitin 2005 kur Sali Berisha shpiku “KOP”-in për të ftuar secilin prej tyre në gjirin e partisë mëmë, aty ku edhe u shpërblyen më pas me nga një post ministror.

Historia mbaroi për të larguarit e viteve të para, por vijoi më të tjerë emra jo pak të rëndësishëm.

Në fund të vitit 2008 Spartak Ngjela (atë kohë deputet i PD-së) përcjell sinjale për një parti të re që e shpall publikisht në fillim të vitit 2009, partia “Ligj dhe Drejtësi”. Po gjatë atij viti ish-deputeti tjetër, i ndjeri Gilman Bakalli bëhet pjesë e bordit të një formacioni të ri politik “Poli i lirisë”, por që nuk u përkthye në vota në zgjedhjet që pasuan.

“Poli i Lirisë” doli si koalicion në zgjedhjet e 2009-ës pjesë e së cilës ishte LZHK për të cilën garonte si kandidat edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi

Tre vite më pas, ish-nënkryetari i PD-së, më pas edhe President, Bamir Topi krijon partinë “Fryma e Re Demokratike”, bashkë me Gazmend Oketën dhe Aleksandër Biberajn. Të dy këta të fundit janë shkëputur duke garuar së fundmi në listat e kandidatëve për deputet për Partinë Demokratike, ndërsa vetë Topi vijon të jetë kryetar i partisë së themeluar prej tij qysh prej 2012-ës.

Për të mbërritur tek largimi i ish-nënkryetarit Astrit Patozi, në krye të një tjetër force politike “Bindja Demokratike” në prill të vitit 2019.

Së fundmi, dy deputetët që nuk iu bindën vendimit politik të opozitës për të braktisur Kuvendin, Myslim Murrizi regjistron në gjykatë partinë më të re, “Lëvizja Demokratike”, duke pasuar Rudina Hajdarin, edhe ajo me parti politike e quajtur “Nisma”. Për t’i vënë kapak (tani për tani) Jozefina Topalli ish-nënkryetare e PD-së me partinë e saj të re “Lëvizja për Ndryshim”, një fenomen ky që në PD sa duket nuk ka për të qenë i fundit.../ N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë