Politike

PD: Qeveria mos zgjedhë 10 oligarkë në vend të 3 mln shqiptarëve

Teksa  të dhënat zyrtare nga tatimet për Pagën e Luftës tregojnë se prej atyre që teorikisht e përfitojnë këtë pagesë, vetëm gjysma janë kualifikuar për ta marrë, Partia Demokratike reagon përmes ish deputetes Jorida Tabaku duke e konsideruar skualifikimin e tyre të padrejtë.

Në reagimin e PD-së, Jorida Tabaku shkruan se, prej disa ditësh, shumë prej bizneseve që kanë aplikuar për fondin që ka vendosur qeveria për ekonominë kanë treguar se si po skualifikohen pa të drejtë nga marrja e pagesës.

Në PD, dëshmon ajo, kanë ardhur me qindra ankesa dhe denoncime për trajtim të padrejtë dhe refuzim të pagesës nga qeveria që ka vendosur fonde të pamjaftueshme për numrin e të vetëpunësuarve dhe bizneseve në nevojë. Ata thonë se kërkesat e tyre kanë rënë në vesh te shurdhër.

“Fatkeqësisht kanë të drejtë. Në VKM-në e miratuar specifikohej se përfitonin të gjithë bizneset e vogla të mbyllura në bazë të listëpagesave deri në janar 2020. Qeveria e vonoi një muaj VKM-në, ndërsa bizneset janë deryruar të ndërpresin kontratat për mijëra punëtorë. Rezultati sot është tragjik. Mijëra shqiptarë, kryefamiljarë dhe prindër fëmijësh, janë të papunë, pa rrogë, pa të ardhura ndërsa qeveria vazhdon të furnizojë PPP-të me milionat e zakonshëm sikur asgjë mos të ketë ndodhur.-shkruan Tabaku.

Për PD-në, qeveria po vështirëson pagesat duke seleksionuar mes bizneseve dhe qytetarëve.

“Sot mijëra biznese e punonjës janë duke u përjashtuar padrejtësisht nga mbështetja! I gjithë buxheti i shtetit dhe çdo burim duhet të jetë në dispozicion të shëndetësisë, të ndihmës sociale dhe të ekonomisë. Diskriminimi për bukën e gojës eshte i pafalshëm, kushton jetë dhe shëndet. Qeveria duhet URGJENTISHT ti japë fund DISKRIMINIMIT të familjeve dhe shqiptarëve në nevojë për të mbrojtur favoret dhe paratë e oligarkëve.-citon Tabaku.

Ajo duke iu drejtuar qeverisë, i kërkon që ata që kanë mbetur pa pune dhe pa të ardhura duhet të marrin mbeshtetjen minimale për ekzistencën.

“ Dhe për këtë mjafton që kryeministri të zgjedhë 3 milionë shqiptarë perpara 10 oligarkëve.”- përfudnon reagimi I PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë