Politike

PD kërkesë Akademisë së Shkencave: Mbaj qëndrim për deklaratat antishqiptare të Richard Hodges

Partia Demokratike u është drejtuar institucioneve shkencore të vendit që t’i japin fund heshtjes dhe të reagojnë në lidhje me deklaratat antishqiptare të Richard Hodges, drejtuesi i koncesionit të Butrintit.

“Është koha që institucionet shkencore të vendit të flasin zyrtarisht dhe publikisht për leksionet antishqiptare që Richard Hodges, drejtues i koncensionit të Butrintit, mban nëpër universitete dhe shkruan në “artikuj shkencorë”. Si deputete dhe qytetare e këtij vendi ju kam dërguar kërkesë zyrtare 3 institucioneve, të Albanologjisë, së Historisë dhe të Arkeologjisë. Gjykoj se është e drejtë dhe detyrim i instituteve shkencore shqiptare që t’u japin një përgjigje zyrtare deklaratave të Richard Hodges që kërkojnë të mohojnë, fyejnë dhe injorojnë historinë, vlerat dhe trashëgiminë e popullit shqiptar”, deklaroi deputetja Ina Zhupa.

Sipas Zhupës, veç përgjigjes ndaj deklaratave e qëndrimeve të Hodges duhet të mbërrijë edhe si respekt për punën e historianëve e arkeologëve shqiptarë ndër vite.

“Qëndrimet anti-shqiptare të mbajtura nga Richard Hodges janë mjaft shqetësuese, pasi ato vënë në dyshim prejardhjen e popullit tonë, ekzistencën e shtetit shqiptar, historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Kur këto deklarata bëhen nga një person, i ngarkuar dhe i paguar për detyrën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, të mishëruar si s’ka më mirë në Parkun Kombëtar të Butrintit, përbëjnë një skandal të rëndë që meriton përgjigje të menjëhershme nga institucionet shqiptare, vecanërisht institutet me dije dhe ekspertizë të posacme në fushën e historisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë”, vijoi Zhupa.

Nisur nga fakti që komuniteti shkencor ka heshtur deri më tani, deputetja Zhupa i kërkon reagim duke cituar dy nene të ligjit për statusin e deputetit, që i japin të drejt që të kërkojë shpjegime për një çështje të caktuar.

Në rastin konkret, Zhupa kërkon nga Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, mbajtjen e një qëndrimi zyrtar me shkrim lidhur me:

(I) bazueshmërinë shkencore të deklarimeve të Z. Hodges;
(II) përshtatshmërinë profesionale të këtij personi për mbajtjen e detyrës së anëtarit të Bordit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit;
(III) rekomandimet tuaja lidhur me reagimin institucional që duhet të mbajë Ministria e Kulturës, Kuvendi i Shqipërisë etj. ndaj këtyre deklaratave.

“Është koha që këto institucione të reagojnë dhe të mbajë qëndrim zyrtar ndaj këtyre deklaratave”, deklaron deputetja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë