Nga Gazeta ‘Si’- Pesë ditë pasi humbi zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike ka nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një dokument që sipas saj tregon abuzimet që janë bërë me procesin zgjedhor.
Dokumenti që mban datën 16 maj i është dërguar kompanisë së saj lobuese në Amerikë, Continental Strategy dhe regjistruar pranë Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
Në qendër të akuzave qëndron sipas PD përfshirja e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.

“Në 10 nga 12 qarqe të vendit, banda të njohura si grupi ‘Xhabafti’ dhe klani ‘Bajri’ thuhet se kanë vepruar për llogari të Partisë Socialiste, nën koordinimin e drejtpërdrejtë nga Kryeministria”, thuhet në raport.
PD akuzon gjithashtu se gjatë fushatës janë përdorur miliona euro nga buxheti i shtetit për qëllime elektorale.
“Janë shpërndarë bonuse për pensionistët, janë dhënë licenca për kultivim kanabisi dhe janë punësuar mijëra persona në administratë në këmbim të votës. Për më tepër, ndalimi i TikTok-ut dhe kapja e mediave përmenden si mjete për të shtypur zërat kritikë dhe për të manipuluar opinionin publik”, thuhet në raport.

Një tjetër shqetësim i PD është përdorimi i një rrjeti patronazhistësh dhe rikthimi i ish-agjentëve të Sigurimit për të monitoruar votuesit dhe për të ushtruar presion.
“Partia Demokratike kërkon hetim ndërkombëtar, ngritjen e një qeverie teknike dhe mbështetje për media të lirë. Raporti mbështetet edhe nga gjetjet e OSBE/ODIHR, të cilat evidentojnë abuzimin me burimet shtetërore, intimidimin e votuesve dhe përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje”, thotë PD.

Në raport rekomandohet krijimi i një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhje të reja të lira dhe të ndershme si dhe hetim ndërkombëtar për integritetin e zgjedhjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.