Ekonomi

PBB-ja e Shqipërisë u rrit me 4% gjatë tremujorit të dytë. Zbehet ndërtimi e pasuritë e paluajtshme

Nga Gazeta 'SI' - Në tremujorin e dytë të vitit 2024, ekonomia e Shqipërisë u rrit me 4.06%, njofton INSTAT. Një vit më parë ky tregues ishte 3.23%.

Ndërtimi dhe sektori i shërbimeve ishin kontributorët kryesorë të PBB-së, me 1.12 pikë përqindje secila, por ndikimi i ndërtimit është më i vogël se e njëjta periudhë e vitit të shkuar (1.43 p.p), ndërsa për shërbimet është rritur (0.19 p.p).

Sipas ecurisë, ndërtimi shënoi një rritje me 10.1% gjatë periudhës, por ritmi i rritjes është më i ulët se një vit më parë.

Rritje të fortë ka përjetuar aktiviteti profesional me shërbimet administrative, 9.6%. Aktiviteti financiar dhe i sigurimit shënoi një rritje me 8.7%, ndjekur nga administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 8.05%. Grupi i “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 3.82%.

Vërehet një zbehje e aktivitetit të pasurive të paluajtshme gjatë tremujorit të dytë, pasi një vit më parë rritja raportohej 11.7%, ndërsa gjatë 2024-s, vetëm 2.7%.

Informacioni dhe Komunikacioni duket të kenë pasur një periudhë të keqe. Pas rritjes prej 8.4% një vit më parë, aktiviteti i tyre ka rënë me 5.4%. Bujqësia dhe peshkimi u rrit me vetëm 0.56%, ndërsa industria, energjia dhe uji ranë me 8.9%.

Në raport tremujorësh, aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka pasur rritjen më të fortë, 3.5%, ndjekur nga tregtia, transporti e shërbimet me 2.97% dhe ndërtimi me 1.16%.

Sipas metodës së shpenzimeve, ka një ngritje të ndjeshme të konsumit final të popullatës me 6% nga 4% në 2023-shin.

Konsumi final i qeverisë është rritur me 6.72%, por në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 9.3%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4.89%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 5.64%.

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 3.81 % nga 11.05% që qe para një viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë