Nga Gazeta ‘SI’- Me anë të një ligji të ri, qeveria ka zgjeruar fushat e monitorimit mbi rrezikun e pastrimit të parave në vend.
Projektligji në konsultim i kushton një vëmendje të veçantë skemave të lejeve të qëndrimit të lidhura me investimet, të njohura gjerësisht si “golden visa”. Për herë të parë, këto mekanizma trajtohen si zona me rrezik të shtuar për pastrimin e parave dhe vendosen nën një regjim të posaçëm kontrolli.
Ligji kërkon që çdo aplikant në këto skema të kalojë në një proces të thelluar verifikimi, si për fondet e investimit, por edhe për burimin total të pasurisë së individit.
Një tjetër element i rëndësishëm është detyrimi për monitorim të vazhdueshëm dhe raportim periodik për këto raste. Kjo do të thotë se edhe pas dhënies së lejes së qëndrimit, investitorët nuk dalin nga radari i autoriteteve, por mbeten subjekt i kontrollit të vazhdueshëm financiar.
Ndër ndryshimet më të forta në praktikë është krijimi i një “pike të vetme aksesi” për të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme. Autoritetet do të kenë akses të menjëhershëm dhe të centralizuar në informacion që përfshin pronësinë, çmimet, historikun e transaksioneve dhe barrët mbi pronat. Ky mekanizëm synon të godasë një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave në Shqipëri, sektorin imobiliar.
Në tërësi, projektligji synon të ulë rrezikun e përdorimit të sistemit financiar, të tregjeve të kriptoaseteve dhe të lëvizjeve ndërkufitare të parasë fizike për qëllime kriminale, në kuadër të integrimit europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje