Treg

Pasiguritë e turistëve po shtohen, a po e tkurrin sektorin në pikun e sezonit?

Nga Gazeta Si-Turizmit të Shqipërisë, këtij sektori ‘me halle shumë’ që u sfidua nga pandemia, rritja e çmimeve e largimi i forcës punëtore, iu desh në pikun e sezonit që të përballej edhe me tragjedinë e Himarës e cila ngriti një valë pikëpyetjesh për sigurinë.

Ngjarja ku një vajzë 7 vjeçare humbi jetën në breg të detit pasi u godit nga skafi, ‘fiku pushuesit e ndezi pasiguritë’ sipas ekspertëve. Plazhet në jug u tkurrën nga pushuesit.

Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit thotë për Gazetasi.al se problemi qëndron tek njerëzit me pushtet që nuk marrin parasysh kuadrin ligjor.

Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit

“Shqipëria është rekomanduar edhe nga Banka Botërore në një raport të fundit për turizmin blu i cili vihet në dyshim nga mungesa e sigurisë që është e papranuesheme. Kjo ngjarje e vështirëson shumë ardhjen e turistëve pasi njerëzit kishin paguar për ta, ishin investuar në pushime”, thotë Topuzi për Gazetasi.al duke shtuar se është shumë e rëndësishme që bashkitë, instancat përgjegjëse dhe pushtetet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për t’u siguruar qetësi pushimeve.

“Nuk është fare e vështirë që të vendosen boga paralajmëruese edhe tabela në bregdet për të caktuar distancën e nevojshme. Vendet e rajonit janë dhjetë vite para nesh ndërkohë që ekonomia blu, një ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë është në gjendje shumë të keqe”, thotë Topuzi për turizmin detar, strategjia e zbatimit të së cilit në fakt edhe sipas vlerësimeve të Bankës Botërore dhe IFC mund të nxisë 380 milionë euro në vit ose më shumë.

Masat, gjobat dhe ndëshkimet sipas Topuzit janë të domosdoshme për të gjithë operatorët të cilët kanë në pronësi mjete të tilla që nuk zbatojnë rregullat.

I pyetur nga Gazetasi.al nëse duhet një moratorium për skafet siç po kërkohet nëpër rrjete sociale, Topuzi thotë se kjo masë do të dëmtonte më tej ekonominë e vendit.

“Nëse një minator humb jetën në minierë nuk duhet mbyllur miniera, duhen rritur kushtet e sigurisë. Moratoriumi do të shkatërronte turizmin.

Eksperienca nga moratoriumi kaluar nuk e ndërpreu kontrabandën, thjesht e selektoi atë. Jet ski, skafet dhe mjetet e tjera nuk rreshtën s’u përdoruri nga politikanët dhe njerëzit me pushtet por nuk u përdorën dot as nga operatorët turistikë, as nga peshkatarët që me ta fitonin bukën.

Hapësirës detare i duhen mjete ujore që e nxisin zhvillimin, e zbukurojnë atë si në të gjithë vendet e tjera të botës. Thjesht është e domosdoshme të zbatohen ligjet që janë vendosur në dispozicion të këtyre sporteve”, shton ai mandej.

“Bregdeti po zaptohet”

Këtë vit, thotë Topuzi për Gazetasi.al , 18% e vijës bregdetare është dhënë e shfrytëzueshme me çadra duke kaluar kapacitetet e përcaktuara.

“Me kontratat 5 vjeçare që bizneset mund të lidhin tashmë, është zaptuar i gjithë bregdeti. Megjithatë shqetësuese e shoh dhe faktin  se si ne po e penalizojmë vetë veten në rrjete sociale duke thënë që nuk ka turistë. INSTAT-i tregon të kundërtën dhe kjo gjë dëshmohet edhe nga grupet e turistëve që shihen në rrugët e Tiranës”, shton ai duke theksuar që pjesa më e madhe e tyre preferojnë Adriatikun.

“Nuk e mba Jugu turizmin”

Topuzi thotë për Gazetasi.al se e ‘mira e të keqes’ është fakti që nuk janë turistët e jugut të cilët janë më të tremburit këto ditë, ata që e mbajnë turizmin.

“Jugu ka turizëm elitar dhe përgjithësisht ka turizëm fundjave pasi edhe kostot qoftë të transportit, qoftë të makinave private janë më të larta.

 Pjesa më e madhe e turistëve preferon Adriatikun dhe kontigjentin më të madh të njerëzve që po tkurren nga pasiguria nuk e kemi në jug”, shton ai më tej për Gazetasi.al duke ngritur edhe shqetësimin që të gjithë plazhet e jugut po kthehen në një kantier ndërtimi resortesh nga biznesmenë.

“Mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme do e penalizojë akoma më shumë turizmin atje”, përfundon për Gazetasi.al Kreu i Shoqatës së Turizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë