Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, ngjallja e Krishtit për besimtarët ortodoksë u festua mbrëmë në një mënyrë krejt të pazakontë në Shqipëri dhe në të gjithë botën.
Besimtarët ortodoksë nuk kanë mundur në mesnatë të shkojnë pranë kishave të tyre për të kryer ritualet e festës më të madhe të ortodoksisë, siç është ringjallja e Krishtit.
Në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë ashtu si në të gjitha kishat e vendit, meshat u kryen pa besimtarë. Ndërsa këta të fundit e ndiqnin live në televizion, duke qëndruar të izoluar në shtëpitë e tyre.
Kryepeshkopi Anastas mbajti meshën e madhe në katedralen e Tiranës me fjalët e ungjillit, ndërsa besimtarët në mënyrë simbolike e ndoqen nga shtëpitë e tyre.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos është shprehur se këto nuk janë kremtime të zakonshme Pashkësh, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.
Mesazhi i kryepeshkopit Anastas
“Pashkë të mbarë, vëllezër dhe motra! Befasisë dhe shqetësimit që shkaktoi kjo pandemi, le t’i kundërvëmë të mospasurit frikë që na fal Krishti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur. Një mospasje frikë plot me paqe dhe solidaritet. Sivjet nuk do të mund ta transmetojmë dritën e Ngjalljes, nga njëra llambadhë te tjetra. Le të transmetojmë dritën e shpresës dhe të mospasjes frikë që na fal Krishti nga njëra zemër te tjetra! Krishti u Ngjall!”, është shprehur kryepeshkopi Anastas.
Besimtarët në mënyrë simbolike kanë ndezur qirinjtë në shtëpitë e tyre. Më pas ata kanë thyer vezët e kuqe siç është traditë, dhe kanë ururar njëri-tjetrin të afërmit apo fqinjët.
Thirrja “Krishti u ngjall” u shoqërua këtë vit nga dëshira për të qenë të shëndetshëm, për të mos pasur frikë ashtu siç tha kryepeshkopi Anatstas dhe që Pashka tjetër të na gjejë të bashkuar e solidarë.
Ndërkohë, politikanët e kanë uruar Pashkën nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale, ku të gjitha lutjet shkojnë për daljen nga kjo situatë e pazakontë me Covid-19, që ka kapluar gjithë botën.
Po ashtu, edhe Ambasada Amerikane i ka uruar Pashkët të gjithë bashkësisë ortodokse në Shqipëri.
“Nga komuniteti ynë në komunitetet dhe familet tuaja, i urojmë Gëzuar Pashkët të gjithë bashkësisë ortodokse në Shqipëri! Sjelltë kjo ditë e shenjtë gëzim, paqe dhe shpresë në të gjitha familjet tuaja!”, shkruan ambasada.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.