Ngjarje

“Pashë vdekjen me sy”… Mes të lënduarve në Spitalin e Traumës

Zhuliano mendon se pas tërmetit, e sotmja e në vazhdim është një jetë e dytë për të. 22-vjeçari nga fshati Prush i Tiranës, me gjymtyrët e thyera është njëri nga nëntë pacientët që vazhdohen të mbahen në Spitalin e Traumës për shkak të vështirësive shëndetësore. Ndonëse nuk konsiderohet nën rrezik për jetën, ai qesh mes frymëmarrjes dhe tregon se “pa vdekjen me sy”. Disa orë larg urgjencës, atëherë kur shumë të lënduar nga tërmeti u sollën për trajtim mjekësor, stafi i Spitalit të Traumës, mjekë e infermierë vazhdojnë në gjendje alerti. Më tepër, për shkak të personave të traumatizuar, kryesisht të moshuar, që vazhdojnë të sillen në spital, ndërkohë që mjekët e Traumës i dërgojnë drejt spitalit “Nënë Tereza”. Pranë Zhulianos qëndron i ati, ai me asnjë dëmtim, por që siç tregon për Gazetën “Si”, “është trembur aq shumë sa gjithë natën teksa qëndronte pranë të birit, mendonte për pjesën tjetër të familjes se mos ndonjë tërmet e shkundte sërish”.

Gazeta “Si”: Zhuliano si i theve këmbët?

Zhuliano: Isha në gjumë. Ndjeva një dridhje të fuqishme. U hodha përpjetë. Mendimi i parë ishte... ra një avion. Habitem pse mendova kështu (qesh). Pastaj mbaj mend që u hodha përpjetë ose nuk e di mbase pasi u hodha përpjetë mendova për avionin. Ishte shok. Kam zbritur nga shtëpia private dhe jam hedhur shkallëve, kisha dhimbje dhe familja u përpoq të më qetësonte.

Gazeta “Si”: Të sollën menjëherë në spital?

Zhuliano: S’di sa ka zgjatur, të gjithë ishim të trembur, nën panik, aspak të përgatitur sesi reagohet në raste të tilla... por mua m’u duk kohë e gjatë derisa arrita në spital. Këtu pashë të tjerë, ndonjë me dorë të thyer, me këmbë. Tërmet.

22-vjeçari Zhuliano nga fshati Prush i Tiranës

Në një dhomë tjetër të Spitalit të Traumës po mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve Gëzim Koci. Ai ka plagët në kokë nga copat e qelqit.

Po pija kafe në lokal. E ndjeva që ishte tërmet,sepse jetoj në Santorini dhe jam mësuar me tërmetet. Nuk e di nëse nga tmerri i rashë xhamit kur dola apo teksa po dilja nga tmerri më ranë copat e xhamit të thyera në kokë.

Gëzim Koci, me plagë në kokë nga copat e qelqit

Pak metra më tej, në dhomën e urgjencës doktori i ka qepur ballin një vajze të vogël. E ëma e ka kthyer sërish vajzën sepse fëmija është e traumatizuar. Doktori përpiqet t’i bëjë humor me fëmijën, por asaj nuk i pushojnë të qarat derisa doktori duke i prekur ballin, i thotë “plaga iku”.

Dy burra të tjerë të cilët nga frika u hodhën nga ballkoni nuk pranojnë të fotografohen. Ata janë vetëhedhur prej paniku nga ballkonet. Infermieri duke treguar për Gazetën “Si” se gjendja e tyre është nën kontroll.

Që prej orës kur ra tërmet drejtori i spitalit, Arben Zenelaj, së bashku me stafin vazhdojnë në gatishmëri. Arben Zenelaj tregon se pas tërmetit 76 të plagosur u sollën në Spitalin e Traumës nga zona të ndryshme të Tiranës.

Gazeta “Si”: Sa do të vazhdojë kjo situatë?

Arben Zenelaj: Ekipet tona qëndruan gjatë gjithë natës në gatishmëri dhe ne vazhdojmë të jemi në gjendje alerti. Më e vështira është ora e parë pas tërmetit. Fluksi ishte i lartë. U paraqitën në të njëjtën moment 52 raste. Për këtë shkak ekipi u dyfishua në moment. Pacientët kishin kryesisht dëmtime në gjymtyrë. Por problem tjetër më i madh ishte paniku dhe ankthi i pjesëtarëve që i shoqëronin.

Gazeta “Si”: Pse vazhdoni ende në detyrë?

Arben Zenelaj: Jemi në alert, që d.m.th shërbimi është më i lartë që t’i përgjigjemi në kohë publikut. Do qëndrojmë në alert derisa situata të jetë e normalizuar dhe të merret garanci nga organet shtetërore që nuk ka asnjë rrezik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë