Politike

Pasaportat diplomatike, i hiqen Cakajt, i merr Agaçi. Pa privilegj Basha e Veliaj

Qeveria i heq kompetencën ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj për lëshimin e pasaportave diplomatike për zyrtarët e lartë, duke ia kaluar atë sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçit. Kjo shmangie është përcaktuar në shtojcën e VKM-së së 12 qershorit. “Për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit”. Ky vendim u mor për t’i dhënë fund abuzimeve që Cakaj kishte paralajmëruar me lëshimin e pasaportave, ku deklaroi se do të reduktonte numrin e zyrtarëve që përfitojnë nga pasja e së drejtës së pasaportës diplomatike”, thuhet në pikën 44 të këtij aneksi, i cili rendit 43 kategoritë e zyrtarëve që përfitojnë.

Engjell Agaçi sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Gazeta Si gusht 2019


Në këtë kategori përfshihen që nga presidentët, ish-presidentët, kryeministrat dhe kryeparlamentarët ndër vite. Gjithashtu qeveria nuk i ka hequr që privilegjet e mbajtjes së pasaportës diplomatike për dhe bashkëshortët dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të Presidentit, Kryetarit të Kuvendit; Kryeministrit, si dhe dhe Bashkëshortja/i e/i deputetit.
Ndërsa i ka hequr të drejtën e mbajtjes së pasaportës diplomatike një sërë zyrtarëve që këtë drejtë e kishin që me vendimin e parë të marrë nga qeveria e Pajtimit Kombëtar, të drejtuar nga Bashkim Fino.


Pa pasaportë diplomatike do të jenë Guvernatori i Bankës dhe drejtuesit e komuniteteve fetare. Gjithashtu qeveria i ka hequr të drejtën e mbajtjes së pasaportave diplomatike edhe për liderin e opozitës, i cili dikur me vendim të posaçëm gëzonte status të veçantë. Jashtë mbajtjes së pasaportave diplomatike kanë mbetur dhe kryetarët e bashkive. Këto kategori qeveria i ka kaluar në të drejtën e mbajtjes së pasaportave të shërbimit. Edhe gjyqtarët janë përjashtuar nga e drejta e pajisjes së pasaportave diplomatike, duke i dhënë vetëm pasaportë shërbimi. Për zbritje në kategori Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka paditur sot Këshillin e Ministrave, duke e cilësuar si një cenim të statusit të tyre.


Edhe sa i përket lëshimit të pasaportave të shërbimit, edhe ky proces është në varësi të sekretarit të Përgjithshëm.
Në prill të vitin të shkuar, ministri i Jashtëm në detyrë do të deklaronte se janë 300 zyrtarë që mbajnë në mënyrë paligjshme pasaportat diplomatike në kundërshtim me ligjin.

Ai iu bëri thirrje deputetëve, gjyqtarëve të lartë që sipas tij nuk e kanë kaluar vetingun, deri te shoferët e personaliteteve, që t’i dorëzojnë ato pasaporta, në të kundërt do të shpallen të pavlefshme. “Shqipëria ka dyfishin e pasaportave diplomatike krahasuar me vendet e rajonit. Ky është fakt real, në shkelje flagrante të ligjit, sot në Shqipëri ka më shumë se 350 persona që mbajnë pasaporta diplomatike në mospërputhje me ligjin. Deputetëve, gjyqtarëve të lartë që s’e kanë kaluar ende vettingun dhe deri te shoferët e personaliteteve, u bëj thirrje që të dorëzojnë menjëherë pasaportën diplomatike në të kundërt ato do të bllokohen dhe do shpallen të pavlefshme”, deklaroi Cakaj.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Gazeta Si 2019

Në pikën tre të VKM-së së miratuar theksohet se “në rastin kur mbajtësi i pasaportës
diplomatike apo Shërbimit lë funksionin për të cilin është pajisur me këtë pasaportë, ajo duhet të
dorëzohet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve kalendarike pranë ministrisë përgjegjëse për Punët e Jashtme, me përjashtim të rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe”. Pasaportat, të cilat nuk dorëzohen sipas afatit, shpallen të pavlefshme nga ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme.

Lista e personave për pasaporta diplomatike dhe shërbimi

Kategoritë që përfitojnë pasaportë diplomatike

  1. Presidenti;
  2. Ish-Presidenti;
  3. Kryetari Kuvendit;
  4. Ish-Kryetari i Kuvendit;
  5. Kryeministri;
  6. Ish-Kryeministri;
  7. Bashkëshortja/i e/i dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të: a) Presidentit; b) Kryetarit të Kuvendit; c) Kryeministrit.
  8. Bashkëshortja/i e/i deputetit;
  9. Zëvendëskryeministri;
  10. Anëtarët e Këshillit të Ministrave;
  11. Deputeti;
  12. Zëvendësministri;
  13. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese;
  14. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë;
  15. Drejtuesi dhe anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ);
  16. Drejtuesi dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP);
  17. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi;
  18. Inspektori i Lartë i Drejtësisë;
  19. Komisionerët Publikë;
  20. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;
  21. Kryetari dhe anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;
  22. Avokati i Popullit;
  23. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit;
  24. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ);
  25. Drejtuesi dhe anëtarët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK);
  26. Prokurori i Përgjithshëm;
  27. Sekretari i Përgjithshëm në institucionin e Presidentit, Kuvend, Kryeministri;
  28. Drejtori i kabinetit në institucionin e Presidentit, Kuvend, Kryeministri, ministrinë
    përgjegjëse për Punët e Jashtme;
  29. Këshilltarët në kabinetin e institucionit të Presidentit, Kuvend, Kryeministri, në rastet kur
    janë të ngarkuar me çështje diplomatike dhe protokollare, jo më shumë se tre këshilltarë për secilin institucion;
  30. Këshilltarët e ministrit përgjegjës për punët e jashtme, kur janë diplomatë karriere;
  31. Kryetari dhe nënkryetari i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH);
  32. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK);
  33. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
  34. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë;
  35. Personeli diplomatik i Shërbimit të Jashtëm dhe familjarët e tyre, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë;
  36. Funksionarët ndërkombëtarë, përfaqësues ose anëtarë të organizatave ndërkombëtare me shtetësi shqiptare, të emëruar ose të kandiduar nga shteti shqiptar;
  37. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit;
  38. Oficeri i Ministrisë së Mbrojtjes, përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare dhe familjarët e tyre, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë;
  39. Oficer kontakti pranë ministrive homologe të shteteve të tjera, institucioneve ndërkombëtare, si dhe të atashuar pranë misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe familjarët e tyre, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë;
  40. Korrieri diplomatik;
  41. Komandanti i Gardës së Republikës;
  42. Trup-rojë për sigurimin e:
    a) Presidentit;
    b) Kryetarit të Kuvendit;
    c) Kryeministrit.
  43. Personat që me ligj të posaçëm gëzojnë të drejtën për pajisjen me pasaportë diplomatike.

Kategoritë që përfitojnë pasaportë shërbimi

  1. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë;
  2. Inspektori i Përgjithshëm i ILKPD-së;
  3. Sekretari i Përgjithshëm në ministri dhe institucionet kushtetuese, të cilët nuk janë parashikuar në lidhjen e pasaportave diplomatike
  4. Drejtori i kabinetit pranë Zëvendëskryeministrit, në ministri dhe institucionet kushtetuese, të cilët nuk janë parashikuar në lidhjen e pasaportave diplomatike
  5. Drejtorët e departamentit në Kryeministri;
  6. Kryetari i bashkisë;
  7. Prefekti;
  8. Zëvendësprokurori i Përgjithshëm;
  9. Drejtori i Radiotelevizionit Shqiptar;
  10. Kryetari i Akademisë së Shkencave;
  11. Kryetari i Komunitetit Mysliman;
  12. Kryetari i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane;
  13. Kryetari i Konferencës Ipeshkvore;
  14. Kryetari i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare;
  15. Kryetarët e partive politike;
  16. Asistent/ndihmës, kameraman dhe fotograf i Presidentit, Kryetarit të Kuvendit,
    Kryeministrit;
  17. Personat që me ligj të posaçëm gëzojnë të drejtën për pajisjen me pasaportë shërbimi.
  18. Funksionarët dhe nëpunësit publikë, me autorizim të Sekretarit të Përgjithshëm të
    Këshillit të Ministrave, për shkak të specifikës së funksionit apo detyrës shtetërore që kryejnë.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë