Njerez

Pasaporta skadon për 3 muaj, një vendim që ndalon BE

Ashtu si në çdo fundvit, edhe këtë herë fluksi në hyrje i shtetasve shqiptarë që rikthehen në atdhe për të kaluar festat është më i madh se ai në dalje dhe këtë e tregojnë shifrat e raportuara nga pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin.

Por, ka një pjesë që zgjedhin që këto ditë festive t’i kalojnë jashtë Shqipërisë. E mes këtyre ka nga ata që u janë prishur planet për shkak të mungesës së informacionit. I tillë është rasti i Gëzim Pacukut, 35 vjeç.

Ai preu online biletat e avionit së bashku me vajzën e tij minorene për të kaluar Vitin e Ri tek të afërmit e tij në Itali dhe me biletat e prera u nis për Rinas. Këtu nisin peripecitë.

“Më kthyen sepse nuk mund të udhëtoja pasi pasaporta më skadon brenda tre muajve të fundit”, thotë ai, duke pranuar se paratë që i kishin kushtuar biletat ishin para të humbura. Kësaj kostoje iu shtuan edhe shpenzimet e aplikimit për pasaportë të re dhe për bileta të reja.

“Pasaporta e vjetër më skadon më 16 janar. Aplikova për pasaportë të re. Pagova 180 mijë lekë dhe shto këtu edhe blerjen prap të biletave”, rrëfen ai për Gazetën “Si”.

Gazeta “Si” konfirmon përmes burimeve të saj se vetëm në Aeroportin e Rinasit janë me dhjetra raste të tilla të regjistruara në dy javët e fundit. Nga një përllogaritje e thjeshtë, thonë burimet, ky numër shkon në qindra qytetarë që janë kthyer mbrapsht pasi kanë prerë biletat, me arsyen e njëjtë se u skadon pasaporta brenda 3 muajve të fundit.

Por, kush e ka fajin? Agjencitë thonë se janë në gjendje që të verifikojnë datat e skadencës së pasaportës të klientëve të tyre para se të presin biletat, por deklarojnë se atyre u mungon një komunikatë, apo udhëzim zyrtar nga policia për ta njoftuar qytetarin.

"Kjo nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e agjencisë, nëse nuk ka një komunikatë zyrtare, apo udhëzues nga policia", thotë për Gazetën “Si”, Eva Rama nga “Explorer Travel & Tours”.

Ky rregull është prezantuar publikisht që në janar të këtij viti, si përgjigje ndaj shqetësimeve të disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian për rritjen e numrit të kërkesave për azil nga shtetas shqiptarë përgjatë 2018. Por mbetet e paqartë baza ligjore e këtij vendimi, duke u nisur nga fakti që vlefshmëria e pasaportës ligjërisht varet nga data e përcaktuar mbi të. Kjo do të thotë se vendimi për të mos lejuar që të udhëtojnë personat që u skadon pasaporta 3 muajt e fundit mund të bjerë ndesh me ligjet shqiptare, madje edhe me Kushtetutën duke kufizuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve.

Për këtë vendim nuk ka patur as një fushatë agresive informimi për publikun, madje edhe në vetë faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme nuk gjen një njoftim të tillë. I vetmi njoftim është ai i prillit 2019, ku Ministria e Brendshme fton qytetarët që u skadojnë kartat e identitetit që të aplikojnë për kartat e reja.

Afati 3-mujor i vendosur sipas këtij vendimi përkon me kohën e lejuar të qëndrimit të shtetasve shqiptare në zonën Shengen dhe nëse vlefshmëria e pasaportës është e barabartë, ose më e vogël se 90 ditë atëherë nuk lejohet dalja e personit që e ka atë pasaportë, çka do të thotë që automatikisht duhet të aplikojë për një pasaportë të re biometrike.

Sipas përllogaritjeve janë rreth 1.5 mln pasaporta që janë prodhuar përgjatë periudhës janar 2009-qershor 2010. Shifra lidhet me faktin se në këtë periudhë pati dyndje aplikimesh për pasaporta biometrike, si të vetmet mjete indentifikimi për të përfituar nga liberalizimi i vizave që Shqipëria e përfitoi më 15 dhjetor të 2010-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë