Ka ndodhur

Pasagjeri kalon drejt Italisë pa u kontrolluar, pezullohet policja në portin e Durrësit

Gazeta Si - Një inspektore e policisë së Durrësit është pezulluar nga detyra, ndërsa dy persona të tjerë janë arrestuar, për shkak se kanë shpërdoruar detyrën duke i dhënë mundësinë një personi të kalonte në pikën kufitare të portit të Durrësit pa u kontrolluar.

AMP njofton se Inspektor Arkodula Bane, me detyrë punonjëse policie në DVKM Durrës, ka lejuar një person të kalojë kufirin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme.

Sipas policisë, Bane, ka shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me Adriatik Bekollin dhe Leonit Mazrekun.

Të tre, dyshohet se kanë ndihmuar për kalim të paligjshëm shtetasin Meriton Berisha më datë 7 shtator, 2022, në mënyrë që t’i shmangej kontrollit të rojeve kufitare për të kaluar në mënyrë të paligjshme nga Porti i Durrësit drejt Italisë, duke udhëtuar si pasagjer në sediljen e pasme të automjetit më të cilin udhëtonin.

Punonjësja e policisë, e cila ishte me detyrë në përpunimin e të dhënave të udhëtarëve, nuk ka kryer detyrën e saj funksionale për kontrollin e personave që udhëtonin në automjet, duke bërë të mundur që shtetasi Meriton Berisha të kalojë kufirin.

Ky i fundit është kapur më pas nga autoritetet e policisë italiane dhe është kthyer.

Bane akuzohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim Detyre”.

Ndërsa Adriatik Bekolli dhe Leonit Mazreku, janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë