Libra

Pas Tiranës dhe Fierit, Ermal Meta promovon romanin edhe në Shkodër

Nga Gazeta Si – Pas Tiranës dhe Fierit, kantautori Ermal Meta i ardhur tanimë në Shqipëri, në “petkun” e shkrimtarit ka promovuar romanin e tij të parë “Nesër dhe përgjithmonë” në qytetin e Shkodrës.

Në ambientet e Qendrës Rinore “Arka”, mbrëmjen e së premtes Meta ka ndarë eksperiencën e tij të parë të shkrimit me të pranishmit dhe kryesisht të rinjtë, ku ka rrëfyer se si lindi ideja për këtë roman.

Romani, një trill artistik i zhvillon ngjarjet e veta në fshatin Rragam të Shkodrës. Artisti i njohur është shprehur se me Shkodrën si qytet e lidhin shumë kujtime të fëmijërisë.

Të pranishmit patën mundësi të kuptonin më shumë nga libri edhe përmes bisedës në formën e një interviste të autorit me gazetarin dhe moderatorin Enkel Demi.

Aktiviteti është shoqëruar edhe me pjesë të kënduara nga këngëtari Ermal Meta.

Një ditë më parë, ai ka promovuar romanin edhe në qytetin e tij të lindjes, në sallën e teatrit “Bylis” në Fier.

Promovimi në Fier

Ndërkohë më 26 tetor u promovua libri në Tiranë. Në takimin e zhvilluar në sallën e re “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Ermal Meta rrëfeu se ndër vitet që ka jetuar në Itali, ndjeu një thirrje të brendshme nga vendi i tij, derisa erdhi çasti për ta bërë këtë hap.

“Kam kaluar shumë vite pa u kthyer në Shqipëri, ndoshta 17, dhe sa herë që mendoja për vendin tim ndieja thirrjen e gjakut tim, ishte një thirrje shumë e fortë, saqë në fakt, më bëri efektin e kundërt, më shkaktoi frikë. Mandej, në një pikë i thashë vetes se nuk mund të prisja dot më për ta hedhur këtë hap, kështu që e bëra, e hodha hapin dhe kuptova se kisha humbur shumë ndërkohë, por nuk ishte vonë për ta rikuperuar”, tha Ermal Meta.

Promovimi në Tiranë

Ky roman siç rrëfen Meta, e ka ndihmuar të njohë e të pranojë njeriun prej nga vjen, edhe përmes studimit e mishërimit në të të historisë së Shqipërisë.

“Këtu këngët e mia kishin mbërritur, por në gjuhën italiane. Ka diçka që mua më bënte të ndihesha në faj… është fakti se në koncertet që bëja këtu, ndonjëherë mes një këngë tek tjetra flisja në italisht, dhe kjo më bënte të ndihesha keq, sepse ndonjëherë bllokohem kur flas në shqip, pavarësisht se e flas me nënë time, me gjyshen, në familje, por çdo gjë tjetër e kam bërë në gjuhën italiane… Dhe me këtë libër më duket se për herë të parë arrij të flas shqip…”, do të shprehej Ermal Meta për librin e tij.

Libri “Nesër e përgjithmonë” flet për historinë e një personazhi me emrin Kajan, i cili rritet mes stuhisë së konflikteve të shekullit XX.

Librit i janë shitur edhe të drejtat për t’u kthyer në prodhim kinematografik. Ato janë blerë nga producenti Carlo degli Esposti-Palomar për të realizuar një serial televiziv.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë