Gazeta Si- Pas vendosjes së ligjit ushtarak, i cili zgjati më pak se gjashtë orë, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol po përballet me kritika të mëdha në të gjithë vendin, me demonstrata të mëdha popullore dhe me politikanë të opozitës që paraqesin një mocion në parlament për ta fajësuar dhe shkarkuar atë nga detyra.
Tani kreu i parlamentit duhet të caktojë një seancë për të diskutuar mocionin, e cila duhet të bëhet brenda 72 orëve.
Yoon, i cili është nga Partia (konservatore) e Pushtetit Popullor, e kishte deklaruar masën vonë të martën në mbrëmje.
Në vend pati protesta të menjëhershme, si nga qytetarët ashtu edhe nga parlamentarët dhe rreth orës 4:30 me orën lokale të mëngjesit të së mërkurës (20:30 pasdite me orën shqiptare të martën), Yoon njoftoi heqjen e ligjit ushtarak, pasi parlamenti, i kontrolluar nga opozita, kishte votuar me 190 vota pro dhe asnjë kundër anulimin e masës.
Tani e ardhmja e Yoon Suk-yeol është shumë e pasigurt dhe është e mundur që ai të fajësohet për tentativën e kthesës së tij autoritare.
Procesi i fajësimit, pra shkarkimi i presidentit, është i mundur me votat e më shumë se dy të tretave të parlamentit (të përbërë nga 300 anëtarë): dmth duhen 201 vota.
Opozita ka 192 deputetë, por ka mundësi që në votim t’i bashkohen edhe disa deputetë nga partia e Yoon.
Madje, mbrëmjen e së martës disa përfaqësues të Partisë Pushteti Popullor thanë se nuk ishin vënë në dijeni nga presidenti për qëllimin e tij për vendosjen e gjendjes ushtarake dhe se ishin kundër këtij vendimi.
Pasi shkarkimi të miratohet nga parlamenti, një seancë do të mbahet para Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të shkarkojë presidentin me 6 vota nga 9 anëtarë të saj.
Për më tepër, nuk do të ishte shkarkimi i parë i një presidenti në historinë e fundit të vendit: në vitin 2016 ndodhi me Presidenten Park Geun-hye, e përfshirë në një skandal të madh, e cila u hoq nga detyra një vit më vonë, dhe më parë në 2004, ishte radha e presidentit Roh Moo-hyun, për të cilin megjithatë Gjykata Kushtetuese nuk e vërtetoi largimin.
Është gjithashtu e mundur që Yoon të vendosë të japë dorëheqjen përpara se të fajësohet, siç kërkohet nga shumë deputetë të opozitës dhe shumë qytetarë që demonstruan gjatë natës.
Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës, kërkoi shprehimisht dorëheqjen e tij, duke e akuzuar se ka shkelur Kushtetutën me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake.
Ndërkohë, sipas mediave koreano-jugore, disa anëtarë të stafit të qeverisë së Yoon kanë ofruar dorëheqjen e tyre, duke përfshirë shefin e shtabit Chung Jin-suk dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare Shin Won-sik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.