Rend dhe Ligj

Pas shqetësimit të SHBA-ve, AMP kallëzon në Prokurori ndërhyrjen në sistemin TIMS

Gazeta Si – Në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit, dyshohet se është ndërhyrë nga persona të paautorizuar, ku për pasojë mund të ketë pasur edhe rrjedhje të dhënash të qytetarëve shqiptarë dhe të huaj.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka kryer disa veprime hetimore dhe në përfundim ka depozituar kallëzim në Prokurorinë e Tiranës.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se kallëzimi është referuar për dyshimet për shpërdorim detyre dhe ndërhyrja në sistemet e policisë në mënyre të paautorizuar.

Organi i akuzës në kryeqytet ende nuk e ka hedhur në short kallëzimin dhe pritet që në ditët në vazhdim të përcaktohet edhe prokurori që do të vijojë hetimet.

Ndërkohë që kanë nisur veprimet e para hetimore me ekspertët përkatës. Shqetësimi u ngrit disa ditë më parë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuar në Tiranë.

I ngarkuari me punë i SHBA-së në vendin tonë, Martin McDoëell, në një takim me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla shprehu shqetësimin e SHBA-ve lidhur me shkeljen në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit.

Zyrtari amerikan i kërkoi ministrit Balla, që këto dyshime të verifikohen dhe të hetohen personat përgjegjës.

Ambasada e SHBA-ve kërkoi nisjen e hetimeve, pasi në mesin e personave që iu janë cenuar të dhënat janë edhe shtetas amerikanë

Deri tani Prokuroria e Tiranës nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje apo se kush mund të jenë personat e dyshuar.

Hetuesit duhet të zbulojnë se cili është qëllimi që këta persona kanë ndërhyrë në sistemin TIMS.

Në këtë sistem, ndodhen dhënat personale të të gjithë qytetarëve të vendit, por edhe të dhëna të tjera se sa herë kanë hyrë dhe kanë dalë në pikat e kalimit kufitarë.

Nga ana tjetër, në sistem janë të gjitha të dhënat për personat që rezultojnë të kërkuar apo të shpallur në kërkim nga ana e policisë shqiptare dhe sigurisht dalja në publik e tyre, do të dëmtonte çështje hetimore që kanë në duar Prokuroritë shqiptare, përfshirë dhe SPAK-un.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë