Shendet

Pas salçiçeve “Wudy”, alarm në Itali: Rrezik nga listeria në djathin gorgonzola dhe bakteri në peston me kopër

Gazeta Si – Në Itali,  Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një paralajmërim të ri për "prezencën e mundshme të “listeria monocytogenes" që i përket grupit të djathit gorgonzola të tregtuar nga një zinxhir dyqanesh dhe prodhuar nga kompania “Gelmini Carlo srl” në komunën e Besates në Milano.

Sipas gazetës "Corriere della Sera", marka e produktit është “Pascoli Italiani”, ndërsa emërtimi “Gorgonzola Dolce Dop”.

“Seria e prodhimit në fjalë është me numër 218246252, shitet në një paketë 300 gram, me shenjën identifikuese It 03 39 CE dhe skadon më 8 nëntor 2022”, - shkruan e përditshmja italiane.

Rekomandimi është “të mos konsumohet produkti dhe të kthehet në pikën e shitjes për zëvendësim ose rimbursim”.

Në këtë rast, bëhet fjalë për prani të dyshuar të listerisë dhe jo raste të konfirmuara.

Bakteri zakonisht gjendet në djathrat e qumështit të papërpunuar, mishin e papërpunuar dhe peshkun, por edhe në perimet dhe ujin e ndotur; qëndron në mjedise të kripura dhe temperatura të ulëta, për këtë arsye mund të mbijetojë edhe në frigorifer, në temperaturat 2° dhe 4°.

Megjithatë, bakteri çaktivizohet duke e gatuar ushqimin në 72 ° për të paktën 15 sekonda.

Dyshimi për praninë e listerias në Itali, pason ato që kanë ndodhur javët e fundit që përfshinin sallamin “wurstel”.

Një bakter i tillë i rrezikshëm u konstatua edhe në Shqipëri te salçiçet "Wudy", prodhim që vinte pikërisht nga Italia dhe që AKU paralajmëroi qytetarët të mos i konsumonin dhe t’i kthenin në marketet që i kishin blerë.

Simptomat e listeriozës

Rrallë, të rriturit dhe fëmijët e shëndetshëm zhvillojnë sëmundje të rënda, megjithëse në mënyrë sporadike ata mund të infektohen.

Gratë shtatzëna, subjektet e imunosupresionuara, të brishta janë më të rrezikuara.

Simptomat ndryshojnë sipas dozës së bakterit me të cilin është kontaktuar dhe gjendjes shëndetësore të subjektit.

Ato variojnë nga forma të ngjashme me gripin ose gastrointestinale, ndonjëherë të shoqëruara me temperaturë të lartë, deri te format septikemike, meningjiti ose aborti. Në rastet më të rënda çon në vdekje.

Pesto me kopër e cila mund të përmbajë “botulinum”

Një paralajmërim nga autoritetet italiane për prani të dyshuar të baktereve të rrezikshme për jetën e njeriut, është lëshuar për një pako me 190 gramë pesto me kopër kopër të prodhuar dhe paketuar nga kompania “Alicos srl e Trapani” për llogari të disa dyqaneve zinxhir të mëdhenj të shpërndarjes, të kaluar përmes një platforme shitjesh kombëtare dhe online, me datë që skadon më 15 shtator 2024 dhe numri i lotit 15ST22.

Kompania urdhëroi menjëherë tërheqjen e produktit në treg për shkak të “rrezikut serioz të përhapjes së mundshme të florës bakteriale të rrezikshme (C. botulinunr) për shkak të acidifikimit të gabuar të produktit (pH jashtë standardit)”.

Hetimet e autoriteteve italiane, janë duke u zhvilluar për të vlerësuar shtrirjen e alarmit në territorin rajonal dhe dhe jshtë tij.

Kuptimi i toksinës “botulinum”

Toksina e “botulizmit” zhvillohet nga mikroorganizmi “Clostridium botulinum”, i zakonshëm në tokë dhe në ajër dhe i padëmshëm për sa kohë që është në kontakt me oksigjenin.

Kushtet e këqija të ruajtjes së ushqimit, ndonjëherë e kthejnë atë në një kërcënim për shëndetin.

Toksina në fakt prodhohet në mungesë të oksigjenit dhe kur temperaturat kalojnë pesë deri në dhjetë gradë.

Megjithatë, nuk formohet në mjedise shumë acide, si salca e domates apo uthulla.

Armiku i tij i vërtetë është nxehtësia, e cila e shkatërron: thjesht gatuajeni ushqimin në 105 gradë për dy orë ose në tenxhere me presion për dhjetë minuta.

Nëse, nga ana tjetër, gatimi është i shkurtër dhe ushqimet ruhen në vaj, ekziston rreziku që të shpëtojnë disa spore.

Në përgjithësi, niveli i ndotjes së mjedisit në sporet e botulinit, është shumë i ulët dhe mund të jetë i pikëzuar, prandaj në të njëjtën seri prodhimi, mund të ndodhë që vetëm disa ambalazhe të jenë të kontaminuara.

Simptomat

Simptomat e prekjes zakonisht shfaqen brenda 12-24 orëve dhe zakonisht sa më herët të jenë, aq më e rëndë është sëmundja.

Ato mund të variojnë nga një shqetësim i lehtë që nuk kërkon ndërhyrjen e mjekut, deri te një sëmundje e papritur që çon në vdekje brenda pak ditësh.

Simptomat e para karakterizohen me dobësi, marramendje, tharje të fytit, e ndjekur nga shenjat e paralizës, veçanërisht në muskuj dhe nervat kranial: vështirësi në gëlltitje dhe të folur, shqetësime të shikimit (strabizëm, shikim të dyfishtë, rënie të qepallave).

Në raste të rënda, ka vdekje nga paraliza e muskujve të frymëmarrjes. Nëse pacienti mbijeton, shërimi është i shpejtë dhe i plotë.

Meqenëse konsumimi i sasive minimale të ushqimit të kontaminuar me toksina “botulinumi” mund të shkaktojë sëmundjen, kushdo që mban një kavanoz që korrespondon me karakteristikat e tij, duhet të shmangë.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë