Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajin korrik 2022, kursimet e shqiptarëve ranë me 0.04%, nga muaji qershor, përkthyer në 568 mln lekë më pak në depozita.
Në raport vjetor me korrikun 2021, depozitat raportohen me rritje, në 6.8%, nga Banka e Shqipërisë.
Gjatë muajit korrik, stoku total i depozitave raportohet 1,239,1 trilionë lekë, nga 1,239,7 që ishte në qershor, kur pati shënuar edhe rritjen më të madhe që nga viti 2006 dhe depozitat u rritën me 11 mld lekë në një muaj.
Në korrik, stoku i depozitave në lekë është ulur me 1.4 mld lekë, sa 0.3% e totalit, por është rritur stoku në valutë. Nga qershori në korrik, kursimet në valute janë rritur me 817 mln lekë.
Që nga nisja e vitit 2022, depozitat kanë qenë të luhatura, me rritje dhe rënie në periudha të shkurtra. Stoku i depozitave ra ndjeshëm gjatë shkurtit 2022 dhe më pas nisi një rikuperim të lehtë në raport mujor. Kjo përkon me tensionet në rritje të konfliktit Rusi-Ukrainë dhe përgjigjet paraprake të tregjeve financiare.
Rekordi paraardhës i depozitave në Shqipëri, ishte ai i janarit 2022, kur shqiptarët kishin 1.234 trilionë lekë të depozituara në banka, për të rinisur rënia një muaj më vonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.