Pas Kosovës, edhe Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel në Suedi.
Lajmin e ka bërë të ditur Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në “Twitter”, i cili shkruan se justifikimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet.
“Ne kemi urdhëruar Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handken. Justifikimi i mizorive të luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nuk duhet të shpërblehet. Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit”, shkruan ministri Cakaj në “Twitter.
Njoftimin për mospjesëmarrjen në ceremoninë e ndarjes çmimit Nobel e paralajmëroi një ditë më parë edhe ambasada shqiptare në Suedi.
“Në një letër dërguar organizatorëve të Ceremonisë së Çmimit Nobel, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë shkruan ndër të tjera se në shenjë proteste kundër përkrahjes dhe mbështetjes që z. Handke i ka dhënë Sllobodan Miloshevicit, këtij kasapi të Ballkanit, i cili urdhëroi masakra të shumta gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, Ambasadori i Shqipërisë nuk do të marri pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit. Ai e ka marrë këtë vendim mbi të gjitha për të shprehur solidaritetin me vuajtjet e asaj kohe të vëllezërve shqiptarë në Kosovë, të cilët e pësuan tepër rëndë nga gjenocidi serb i Milosheviçit”, thuhet në njoftimin e ambasadës shqiptare.
Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli bëri të ditur se kishte udhëzuar ambasadoren Shkendije-Geci-Sherifi që të bojkotojë ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel.
Çmimi Nobel në Letërsi për Peter Handken, i njohur si adhurues i Millosheviçit, u shoqërua me polemika të shumta nga gjithë shqiptarët.
Por, Handke ka shkaktuar zemërim edhe në Ballkan e më gjerë, për shkak të mbështetjes së ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.