Ngjarje

Pas konfrontimit banorët e Bregut të Lumit “dorëzojnë” shtëpitë, nis shembja

Në fillim të Bulevardit të Ri shikon qytetarë të shumtë të cilët kanë dalë për të bërë shëtitje dhe për të shijuar kohën e bukur, ndërkohë që në anën tjetër, njerëzit nuk janë kaq të qetë. Banorët e zonës së quajtur Bregu i Lumit, prej ditësh protestojnë për të ndaluar prishjen e shtëpive të tyre. Edhe ditën e sotme, ata janë konfrontuar me forcat e policisë, pasi këta të fundit kanë tentuar ti nxjerrin me forcë nga shtëpitë e tyre që në orën 6:00 të mëngjesit.
Vazhdimi i projektit që do të plotësojë të gjithë Bulevardin, kërkon prishjen e 38 shtëpive në këtë zonë, të cilat ishin në proces legalizimi, por pas projektit i s’kualifikuan dhe kështu nuk përfitojnë shpronësim. Bashkia ka ofruar dëmshpërblim dhe banesa sociale për banorët që tashmë kanë mbetur në qiell të hapur, por ata shprehen se duan të marrin dëmshpërblimin fillimisht, më pas të lejojnë realizimin e projektit.

Njëri prej banorëve i cili kishte qëndruar gjatë gjithë natës në komisariat, gjatë ditës së sotme ka tentuar të futet në shtëpi, por kjo ka sjellë konfrontime me forcat e policisë që ishin në të gjithë territorin e kësaj zone. Plani i sotëm përcaktonte prishjen e 15 banesave, por vetëm 6 prej tyre janë prishur deri në orët e pasdites. Disa nga banorët përreth zonës janë shprehur për Gazetën Si se kjo që po ndodh është e padrejtë.
“Nuk mund të hidhen në rrugë njerëzit për një Bulevard. Ato shtëpi kanë 20-25 vjet që janë ndërtuar” shprehen ata.

Në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe studentë, aktivistë dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike, të cilat i kanë mbështetur dhe kanë shpërndarë video te tensionit, pasi banorëve i’u ishin sekuestruar telefonat. Konfrontim ka pasur jo vetëm me banorët, por edhe me ish-deputetët që shkuan në mbështetje të tyre. Policia ka goditur ish-deputetët e opozitës, Endrit Braimllari dhe Klevis Balliu. Ky i fundit ka denoncuar, edhe veprimin ku një punonjës policie ka qëlluar një vajzë, e cila protestonte që të mos i merrnin telefonin. Edhe në aksionin e disa ditëve më parë ka pasur tension dhe konfrontime fizike. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë banorët, ndërsa Partia Demokratike dënoi me ashpërsi ndërhyrjen dhe dhunën e Policisë ndaj banorëve, ndërsa veprimet e tyre i ka cilësuar të papranueshme dhe njëherësh kriminale, pasi sipas saj, janë vënë në shënjestër njerëzit e thjeshtë.

Pas konfrontimeve të policisë me banorët, duket që gjithçka ka përfunduar, sepse banorët mblodhën orenditë dhe u larguan. Në zonë, ndodhen vetëm punonjësit e Bashkisë, të cilët po largojnë mbetjet e shtëpive të shembura. Edhe, efektivët e policisë janë larguar, duke lënë fadromat të vazhdojnë punën në shembjen e shtëpive të tjera.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë, Erijon Veliaj në deklaratën e tij u shpreh i vendosur se do të çojë deri në fund projektet madhore.
“Kush ka ndërtuar në shtrat të lumit, aty ku përfundon bulevardi, do marrë banesë sociale. Pra, banesë për banesë. Janë shumë herë më të mira se ato që i merr lumi. Ama, t’u marrësh lekët e shkollave taksa-paguesve sepse ke ndërtuar pa leje në breg të lumit, nuk shkon. Edhe Sali Berisha që e shkatërroi këtë shtet, edhe ai nuk i përfshiu në VKM, që s’e kishte problem fare ta shkatërronte edhe më shumë. Por, kur edhe ai pati një limit të çmendurisë së vet, do të thotë që ne të tjerët duhet ta kemi patjetër një limit. Shtëpi për shtëpi, asnjë njeri jashtë, asnjë njeri i pastrehë,” u shpreh Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë