Inteligjenca Artificiale

Pas Italisë, edhe vendet e tjera të Europës mund të ndalojnë ChatGPT-në

Italia është bërë vendi i parë perëndimor që bllokoi ChatGPT, një chatbot i famshëm i cili mbështetet tek Inteligjenca Artificiale.

Autoriteti mbikëqyrës i mbrojtjes së të dhënave të vendit deklaroi se po hap një hetim kundër OpenAI, kompania që qëndron pas chatbot-it të popullarizuar masivisht, për shkak të shqetësimeve për privatësinë e të dhënave, pasi ChatGPT pësoi një shkelje të të dhënave, që përfshinte bisedat e përdoruesve dhe informacionin e pagesave.

ChatGPT mund t’i përgjigjet pothuajse çdo pyetjeje, të kalojë provimet dhe madje të kodojë një faqe interneti për ju. Qindra miliona njerëz e kanë përdorur ChatGPT, që nga fillimi i tij në nëntor 2022, duke e bërë atë aplikacionin me rritjen më të shpejtë në histori, sipas një studimi të UBS.

Por janë rritur shqetësimet për rreziqet e mundshme të IA, duke përfshirë kërcënimin për të mbyllur shumë vende pune dhe gjithashtu përhapjen e keqinformimit.

Javën e kaluar, personalitete të rëndësishme në fushën e teknologjisë, përfshirë shefin e Tëitter, Elon Musk, kërkuan që këto lloje të sistemeve të IA të pezullohen, mes frikës se gara për t’i zhvilluar ato ka dalë jashtë kontrollit.

 A do ta ndjekin së shpejti vendet e tjera dhe a do të ndalojnë ChatGPT?

Pas vendimit të Italisë për të kufizuar aksesin në chatbot, Organizata Europiane e Konsumatorëve (European Consumer Organisation, BEUC) po u bën thirrje të gjitha autoriteteve të hetojnë të gjithë chatbot-et kryesore të AI.

ChatGPT, për shembull, është tashmë i ndaluar në disa vende, duke përfshirë Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë.

“Përdoruesit nuk janë gati për këtë teknologji. Ata nuk e kuptojnë se sa manipuluese, sa mashtruese mund të jetë”, tha Ursula Pachl, Zëvendësdrejtore e BEUC.

“Ata nuk e kuptojnë se informacioni që marrin është ndoshta i gabuar. Mendoj se ky incident me ChatGPT është shumë i rëndësishëm.

Është një lloj thirrje për Bashkimin Europian, sepse edhe pse institucionet Europiane po punojnë për një ligj të ri mbi Inteligjencën Artificiale, nuk do të jetë i zbatueshëm edhe për katër vjet të tjera.

Dhe ne kemi parë se sa shpejt po zhvillohen këto lloj sistemesh”, tha ajo. Komisioni Europian aktualisht është duke diskutuar legjislacionin e parë në botë për Inteligjencën Artificiale, të quajtur Akti i AI (AI Act).

Por duket se mund të mos priren të ndalojnë sistemet e IA,, sipas Zëvendëspresidentes Ekzekutive të Komisionit Europian, Margrethe Vestager.

“Pavarësisht se çfarë teknologjie përdorim, ne duhet të vazhdojmë të evoluojmë liritë tona dhe të mbrojmë të drejtat tona”, shkroi ajo në Twitter.

“Kjo është arsyeja pse ne nuk rregullojmë teknologjitë e Inteligjencës Artificiale, por përdorimet e AI. Le të mos e hedhim poshtë brenda disa vitesh, atë që u deshën dekada për t’u ndërtuar”.

Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (Irish Data Protection Commission) dhe rregullatori i të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar, kanë thënë gjithashtu se do të fillojnë të shikojnë më nga afër këta chatbot të IA, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave.

Gjermania mund të ndjekë hapat e Italisë, duke bllokuar ChatGPT për shqetësimet e sigurisë së të dhënave, tha komisioneri gjerman për mbrojtjen e të dhënave për të përditshmen Handelsblatt.

Rregullatorët francezë të privatësisë kanë kontaktuar gjithashtu homologun e tyre italian për të mësuar më shumë.

Dan Morgan, Drejtor i Çështjeve të Qeverisë së Europës në ofruesin e vlerësimeve të sigurisë kibernetike SecurityScorecard, tha se kjo lëvizje sinjalizon rëndësinë e pajtueshmërisë rregullatore për kompani të tilla si OpenAI në Europë.

“Mendoj se implikimet e qarta për këtë janë se, ju nuk mund të shmangni rregullimin nëse doni të veproni në BE,” tha ai.

“Bizneset duhet të kenë përparësi mbrojtjen dhe respektimin e të dhënave personale. Pavarësisht se sa i rëndësishëm është produkti, ju e dini, pajtueshmëria me rregulloren në Europë nuk është një shtesë opsionale”.

Autoriteti i mbikëqyrjes në Itali tha se kompania që qëndron pas ChatGPT, ka 20 ditë për të trajtuar çështjet e mbrojtjes së të dhënave, ose do t’i duhet të paguajë një gjobë prej 20 milionë eurosh ose deri në 4 për qind të të ardhurave vjetore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë