Teknologji dhe Inovacion

Parlamenti Europian po përgatit masa të ashpra për përdorimin e inteligjencës artificiale

Parlamenti Europian po përgatit masa të ashpra të reja mbi përdorimin e inteligjencës artificiale(IA), duke përfshirë detyrimin e krijuesve të chatbot-eve të zbulojnë nëse përdorin materiale të mbrojtura nga të drejtat e autorit, ndërsa BE-ja po shkon drejt vendosjes së regjimit më kufizues në botë për zhvillimin e AI.

Eurodeputetët në Bruksel janë afër dakordësimit të një sërë propozimesh për të qenë pjesë e Aktit të Inteligjencës Artificiale të Evropës, një grup gjithëpërfshirës rregullash mbi përdorimin e AI.

Ndër masat që mund të propozohen nga parlamentarët është që zhvilluesit e produkteve të tilla si ChatGPT i OpenAI të deklarojnë nëse materiali me të drejtë autori po përdoret për të trajnuar modelet e tyre të AI.

Eurodeputetët gjithashtu duan që përgjegjësia për keqpërdorimin e programeve të inteligjencës artificiale të bjerë tek zhvilluesit si OpenAI, në vend të bizneseve më të vogla që e përdorin atë.

Eurodeputetët shpresojnë të finalizojnë pozicionin e tyre javën e ardhshme, tha për Financial Times Brando Benifei, një nga negociatorët kryesorë të parlamentit.

Benifei tha se eurodeputetët dëshironin transparencë të mëtejshme.

Propozimi vjen pasi kompania e mediave vizive Getty Images po ndjek një çështje të të drejtave të autorit në Mbretërinë e Bashkuar kundër Stability AI, duke pretenduar se krijuesi i mjetit falas për gjenerimin e imazheve ka përdorur miliona imazhe të tij me të drejta autori pa aprovim.

Artistët në SHBA kanë ngritur gjithashtu padi kundër Stability AI dhe kompanive të tjera pasi zbuluan se puna e tyre ishte përdorur për të trajnuar sistemet e AI.

Ata që janë të përfshirë në negociata paralajmëruan se ishte shumë herët për të thënë saktësisht se çfarë do të bëhet deri në fund të diskutimeve javën e ardhshme.

Dragoş Tudorache, një eurodeputet dhe bashkë-negociator, tha se rregullimi i AI ishte thelbësor në dritën e popullaritetit në rritje të produkteve gjeneruese të AI si ChatGPT.

"Është një teknologji pioniere dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë, që do të thotë të vendosim rregulla," tha ai. "Vetëkujdesi nga kompanitë nuk mjafton."

Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë