Filma

Pas gjyqit me Johnny Depp, Amber Heard i rikthehet aktrimit me filmin ‘In the Fire’

Aktorja amerikane, Amber Heard është rikthyer në ekranin e madh.

Promoja e parë për filmin “In the Fire” debutoi të mërkurën e 20 shtatorit, duke shfaqur Heard, 37 vjeç, si një psikiatre amerikane që udhëton në Kolumbi për të vlerësuar një fëmijë të trazuar që vendasit kanë besuar se është e pushtuar nga djalli.

Në një deklaratë të Heard dhënë para grevës së vazhdueshme të aktorëve, ajo kishte thënë se “filmi është një meditim mbi fuqitë pothuajse të mbinatyrshme të dashurisë të treguara përmes një gruaje me vullnet të fortë dhe të pavarur në fillim të shekullit të 20-të”.

“Ndihem e nderuar që jam pjesë e kësaj pune dhe që jam udhëheqëse në vizionin e regjisorit Conor Allyn. Ndihem me fat që jam e rrethuar nga një kast kaq i mrekullueshëm. Ata janë po aq të përkushtuar dhe magjik sa personazhet që luajnë”, pati shtuar ajo.

Heard mori pjesë në Festivalin e 69-të të Filmit në Taormina në Itali më 24 qershor për të mbështetur premierën botërore të filmit.

Gjatë evenimentit, Heard kishte thënë se filmi i ri është “një film i bukur për efektin dhe forcën pothuajse të mbinatyrshme të dashurisë”.

“Ka të bëjë me kufijtë që dashuria mund të kapërcejë dhe krijimin e saj, dhe me të vërtetë për fuqinë dërrmuese që ka dashuria”, tha Heard në atë kohë.

Heard gjithashtu shfaqet në vazhdimin e ardhshëm të “Aquaman and the Lost Kingdom”, i cili del në dhjetor dhe debutoi trailerin e parë javën e kaluar.

Megjithëse ishte filmuar më parë, “In the Fire” është filmi i parë i aktores që debuton që nga gjyqi i saj i diskutueshëm për shpifje me ish-bashkëshortin Johnny Depp.

Gjykata vendosi në favor të Depp vitin e kaluar.

Muaj më vonë, ata arritën një marrëveshje dhe ajo i pagoi atij 1 milion dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë