Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët që kërkojnë azil në Europë janë reduktuar dy muajt e parë të vitit 2023. Eurostat tregon se në janar-shkurt kishte vetëm gjithsej 1 675 kërkesa për azil në vendet e Bashkimit Europian, me një rënie prej 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
42% e këtyre aplikantëve kanë zgjedhur Francën duke e bërë vendin e parë të preferuar, ndjekur nga Gjermania me 23%, Italia dhe Greqia me nga 20%.
Në total, për vitin e shkuar, 13.2 mijë azilkërkues shqiptarë aplikuan në një vend të Europës (pa përfshirë Mbretërinë e Bashkuar), duke arritur numrin më të lartë që nga 2020-a.
LEXO EDHE:
– Britania kthen mbi 1 mijë shqiptarë të paligjshëm, operacionet do të vijojnë
– The Sun: Shqiptarët e morën mesazhin, bie numri i kalimeve me varka të vogla pas skemës së dëbimit
Një ditë më parë, britanikja “TheSun” tregonte se edhe për në Britani kanë rënë aplikimet e shqiptarëve, të regjistruar vetëm 29 persona që kanë kaluar Kanalin në tre muajt e parë të këtij viti. Në vitin 2022, shifra llogaritet rreth 12.300, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Europa vazhdon përballjen me emigracionin masiv
81.000 kërkesa për azil të paraqitura në vendet e BE-së në shkurt 2023, zbulon Agjencia e BE-së për Azil, EUAA.
Sipas të dhënave të EUAA-së, një rritje në numrin e kërkesave për azil është vërejtur nga qytetarët e Turqisë, Kolumbisë, Venezuelës dhe Rusisë. Raporti theksoi se, në muajin e dytë të këtij viti, venezuelianët dhe kolumbianët kanë paraqitur dy herë më shumë aplikime, duke shënuar rritjen më të ndjeshme, që nga viti 2014.
Numri më i madh i aplikimeve erdhi nga Siria, 9.500, Afganistani 9.300 etj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




