Futboll

Partizani triumfon në Kamzë me një eurogol të Telushit

Një gol i shënuar nga mesfushori Bruno Telushi në pjesën e dytë i ka dhënë Partizanit tri pikët e para në këtë kampionat. Pas humbjes në Korçë, për të kuqtë e drejtuar nga trajneri Gega nuk kishte alternativë tjetër veç fitores dhe ata ia arritën qëllimit duke fituar 0-1 në fushën e vështirë të Kamzës, që vinte pas fitores ndaj Tiranës në javën e parë të kampionatit.

Ndeshja me Kamzën kishte koeficient të lartë vështirësie për Partizanin, që duhej të mos e humbte durimin për asnjë moment. Këmbëngulja e ekipit të kuq u shpërblye me golin mjaft të bukur të shënuar nga vlonjati Telushi, i cili gjuajti saktë me të djathtën nga jashtë zonës, duke i dhënë fitoren Partizanit. Progni mund të kishte dyfishuar më pas, por u nxitua në momentin final. Fitorja e parë kjo në kampionat për Partizanin, që konsiderohet një nga pretendentët kryesorë për titullin kampion.

Të kuqtë festojnë golin e Telushit

Pas ndeshjes, trajneri i Partizanit, Skënder Gega, vlerësoi paraqitjen e ekipit të tij dhe fitoren: “Kamza na vuri në vështirësi gjatë pjesës së parë dhe duhet përgëzuar. Ne ndryshuam vendosjen, duke parë kundërshtarin dhe jam i kënaqur për këto 90 minuta dhe fitoren. Megjithatë, kemi ende për të përmirësuar në vazhdim. Hebaj nuk ishte fare në lojë, nuk e di çfarë pati, sepse fizikisht është shumë mirë. Partizani shpërdoroi raste në pjesën e dytë, ndoshta nga presioni. Progni dhe Hasani nuk dhanë atë që pritej në Korçë, ndaj i lashë në stol, por jam i kënaqur që në këtë ndeshje e ndihmuan ekipin. Mendoj se diferencat në kampionatin shqiptar janë të vogla. Partizani e ka bagazhin të luftojë për titull”.

Skënder Gega, trajneri i Partizanit

Ndeshja tjetër e javës së dytë ishte ajo mes Laçit dhe Luftëtarit, ku kurbinasit përmbysën gjithçka në shtesë dhe morën fitoren e parë në këtë kampionat. Gjoni shënoi golin me vlerën e tri pikëve, ndërsa Shtubina barazoi golin e Shkurtajt për gjirokastritët. Të premten Tirana barazoi me Teutën, ndërsa të dielën luhen Kastrioti-Skënderbeu dhe Flamurtari-Kukësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë