Futboll

Partizani pret Kukësin rival, gati për kurorën e dimrit

E premtja është bërë tashmë dita e zakonshme që ngre siparin e ndeshjeve të javës në Superiore. Zakonisht, këtë ditë luhet ndeshja më e rëndësishme e javës, siç është edhe këtë radhë. Partizani ndeshet me Kukësin, kundërshtarin që specialistët e futbollit e konsiderojnë rivalin kryesor të të kuqve në luftën për titullin kampion.

Një shans shumë i mirë i të kuqve për ta thelluar më shumë diferencën me këtë ekip dhe për t’u shpallur kampion dimri. Partizani është 5 pikë i shkëputur nga vendi i dytë dhe një fitore e mundshme e bën të paarritshëm në javën e fundit të fazës së dytë të kampionatit dhe të këtij viti kalendarik njëkohësisht. Një titull simbolik, por që i jep më shumë moral ekipit të drejtuar nga trajneri Skënder Gega, duke bërë që përgatitjet dimërore dhe merkatoja të bëhen me qetësinë e nevojshme.

Partizani në stërvitje

Të kuqtë vijnë në këtë ndeshje pa yllin e skuadrës, Jasir Asanin, i cili plotësoi numrin 4 të kartonëve të verdhë ndaj Teutës. Një mungesë që peshon, por trajneri Gega ka një grup të aftë për të përballuar edhe ndeshje të tilla të rëndësishme në çdo situatë. Vendin e Asanit, i cili po zhvillon një sezon shumë të mirë, pritet ta marrë Mensah, ndërsa Hebaj do të jetë sërish në majë të sulmit dhe do të mbështetet nga Bardhi.

Kukësi në stërvitje

Përballja me Partizanin kryesues e gjen Kukësin në momentin më të mirë. Kuksianët vijnë pas tri fitoresh radhazi, e fundit ndaj një rivali si Skënderbeu, ndaj dhe në kampin e ekipit verior ka optimizëm për një rezultat pozitiv. Trajneri Armando Cungu nuk e aktivizoi titullar sulmuesin Rexhinaldo në ndeshjen e fundit, por këtë radhë me siguri që do ta hedhë në fushë nga minuta e parë. Java e 17-të e Superiores vazhdon të shtunën dhe të dielën me ndeshjet Skënderbeu-Luftëtari, Flamurtari-Kamza, Laçi-Tirana dhe Kastrioti-Teuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë