Lojëra me Dore

Volejboll/ Partizani fiton 2 Kupa Shqipërie me femrat dhe meshkujt

E diel e mbarë për Partizanin në volejboll. Klubi kryeqytetas ka fituar dy trofetë e Kupës së Shqipërisë brenda pak orësh, fillimisht nga femrat dhe pastaj nga meshkujt.

Një tjetër fitore në derbi ndaj Tiranës, një ditë pas futbollit, këtë herë në volejboll për femra. Dhe është një fitore shumë e rëndësishme, pasi i jep klubit të kuq trofeun e Kupës së Shqipërisë, i katërti në histori.

Vajzat e Partizanit kanë dominuar në finale dhe këtë e tregon qartë edhe rezultati, 3-0 në favor të skuadrës së drejtuar nga Andi Lundra. Ndeshja u zhvillua në “Feti Borova” në kryeqytet. Partizani fitoi setin e parë 25-20, të dytin me pak vështirësi 26-24, ndërsa në të tretin e pati shumë të lehtë edhe e mbylli 25-16.

Ky është trofeu i parë sezonal për Partizanin, që bëri diferencën ndaj Tiranës. Për Andi Lundrën është trofeu i parë si trajner. Kujtojmë që volejbolli prej pak kohësh ka nisur aktivitetin dhe tashmë ka dhënë edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë, që i ka takuar Partizanit. Festa është e gjitha për vajzat e kuqe.

Edhe meshkujt nuk kanë gabuar në finalen ndaj Erzenit, por e kanë pasur pak më të vështirë se femrat. Janë dashur 5 sete për të përcaktuar ekipin fitues të Kupës së Shqipërisë dhe në fund kanë triumfuar të kuqtë 3-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë