Lojëra me Dore

Partizani e bën “bis”, triumfon edhe me djemtë në volejboll

Duket të jetë viti i Partizanit në sportin shqiptar. "Ekipi i kuq" ka fituar titullin kampion edhe në volejboll për meshkuj, pas suksesit që arritën vajzat pak ditë më parë. Skuadra e drejtuar nga trajneri i mirënjohur, Ylli Tomorri ia doli të mposhtë me një rezultat të pastër, 3-0, Vllazninë e Shkodrës.

Nuk kishte asnjë dyshim në fakt për ekipin që do të fitonte titullin kampion këtë sezon që në muajin tetor, kur ekipi i Partizanit mori formë. Me volejbollistët më të mirë shqiptarë në qarkullim, Partizani e dominoi kampionatin dhe marshoi drejt titullit kampion, i cili mungonte në “shtëpinë e kuqe” prej 38 vitesh. Në finalen e tretë të zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës, Partizani dëshmoi edhe njëherë supermacinë. 3-0 u mbyll ndeshja me djemtë e Partizanin që nuk treguan mëshirë, por filluan festën që kishin aq shumë vite që e prisnin. Në të treja setet, që i ngjasonin njëra tjetrës volejbollistët kryeqytetas dominuan, duke fituar lehtësisht dhe dukej sikur Vllaznia e kishte pranuar tashmë që nuk mund të bënte më shumë në këto finale.

Pas suksesit të dyfishtë në volejboll, për Partizanin tashmë mbetet vetëm titulli në futboll, që është vetëm një hap larg. Javën e ardhshme skuadra e Skënder Gegës do të luaj në “Selman Stërmasi” përballë Tiranës dhe ka mundësinë e parë që të sigurojë matematikisht titullin kampion që mungon prej 25 vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë