Gazeta Si – Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Jamarbër Malltezit për revokim të masës së sigurisë, i akuzuar për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.
Ndryshe nga ish-kryeministrit Sali Berisha, gjyqtarja Flojera Davidhi nuk pranoi kërkesën e Malltezit për t’i shuar këtij të fundit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Dhëndri i ish-kryeministrit, prej muajit nëntor të vitit të kaluar është lënë në “arrest shtëpie” me vendim të gjyqtares Ilirjana Olldashi, e cila ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë, duke e liruar nga qelia. Ky i fundit u la i lirë në datë 27 nëntor të këtij viti, pas 333 ditësh izolimi në banesë.
SPAK thotë se Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro gjatë procedurave për privatizimin e klubit “Partizani”, i favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërsa ky i fundit akuzohet për korrupsion pasiv. Nën hetim për këtë rast është edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.
Ndërkohë më herët, SPAK i ka komunikuar akuzën edhe Sali Berishës duke e marrë të pandehur. Akuza penale e ngritur ndaj tij është “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim”, të cilën Berisha e konsideron si “hakmarrje politike të Ramës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.