Gazeta Si - Pesë punonjës policie janë pezulluar nga Policia e Shkodrës dhe 3 në Vlorë, pasi kanë shpërdoruar detyrën. Në vitin 2021, efektivët e policisë pas kontrollit të territorit të fshatrave Curak dhe Shkozë, në Pukë, kanë deklaruar se nuk kanë konstatuar bimë narkotike të kultivuara, ndërkohë që disa ditë më pas, në këto zona janë gjetur të kultivuara 4000 bimë kanabis.
Gjykata e Shkodrës ka caktuar për ta masën e sigurisë "Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik", për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Të pezulluar nga detyra:
1. Komisari Edmond Pepkolaj, ish-shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Pukë, aktualisht me detyrë shef i Seksionit për Arkivën Kriminale dhe Cilësinë e Informacionit në Shkodër
2. Inspektori Alfred Ndoj
3. Zamir Mehaj oficer i Patrullës së Përgjithshme në Pukë
4. Petrit Florini ndihmës-specialist për informacionin policor dhe arkivën kriminale
5. Fatmir Alia oficer i Patrullës së Përgjithshme në Pukë
Përveç policëve të Shkodrës, një ditë më parë 3 policë u pezulluan në Vlorë, pasi u gjetën rreth 5 mijë bime kanabisi të kultivuara në një parcelë me misër në fshatin Bishan.
Pezullimi i policëve është përshëndetur edhe nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili thotë se procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit do të vazhdojë.
"Vijon intensivisht goditja e grupeve kriminale, por edhe procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Vetëm në 48 orët e fundit janë 8 punonjës policie të proceduar penalisht, për “mbyllje sysh” apo më keq akoma bashkëpunim me keqbërësit. Forcimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë, SPAK, Shërbimit Informativ dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit", shkruan Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.