Ka ndodhur

Parashikohen reshje shiu dhe përmbytje nga moti i keq. Zona e Obotit e para që rrezikon

Në orët e ardhshme, shtrëngata shiu, erë dhe rrezik për përmbytje parashikohen të prekin vendin tonë. Paralajmërimi vjen nga IGJEUM (Instituti i Gjeoshkencave , Ujit dhe Mjedisit), sipas të cilit, reshjet intesive do të jenë të përqendruara në veri-perëndim dhe në jug të territorit.

Më të rrezikuar nga lumenjtë e vegjël, janë qarqet e Lezhës, Beratit, Vlorës dhe Gjirokastrës, por reshje intesive do të ketë edhe në Shkodër dhe Kukës.

Sipas IGJEUM, reshjet do të shoqërohen me shtrëngata, ndërsa në zonat malore  do të ketë edhe reshje dëbore. Era me shpejtësi deri në 70 km në orë, do të sjellë probleme në det të hapur.

Në lidhje me këtë situatë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha në një deklaratë për mediat nga Korça se nuk ka vend për panik, teksa theksoi se nuk priten përmbytje të mëdha.

Sipas Peleshit, problem mbetet zona e Obotit në Shkodër, e goditur shumë herë nga përmbytje të mëdha. Ministri deklaroi se janë marrë masa dhe se strukturat shtetërore janë në gatishmëri.

"Në pjesën juglindore, kemi Vjosën, është lum i egër. Në raste të reshjeve të mëdha rrezikon që të dalë nga shtrati.  Kemi nivele me rezervë në kaskadën e Drinit, liqeni i Fierzës ka rezerva mban edhe për disa ditë reshje, nuk do të kemi përmbytje të shtuara, - u shpreh ministri. - Në pjesën jugperëndimore, në lumin e Vjosës, mund të kemi dalje në rast se do të jetë i lartë intensiteti i reshjeve. Të gjitha strukturat janë në gatishmëri. Nuk presim përmbytje të mëdha, por në veri kemi zona depresive si Oboti në Shkodër që me apo shkarkim liqenesh është zona e parë që rrezikon përmbytjen”.

Në ditët e fundit të nëntorit, moti i keq shkaktoi pak probleme në lumenjtë Vjosa dhe Shkumbin, të cilët dolën nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në disa zona në Vlorë dhe Elbasan.

Po ashtu probleme pati edhe në Bashkinë e Gjirokastrës, ku dalja nga shtrati i përroit të Lënxës në fshatin Lazarat, krijoi probleme në qarkullimin e njerëzve dhe makinave që lidhin dy lagjet kryesore të këtij fshati.

Pasdite vonë, Bashkia e Vlorës i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, duke paralajmëruar se stuhi të forta pritet të godasin qytetin bregdetar.

"Parashikimet e meterologëve paralajmërojnë mot të keq prej pasdites së sotme, 5 Dhjetor dhe deri më 7 Dhjetor! Reshjet e shiut do të intensifikohen prej orës 18.00 e në vazhdim të shoqëruara dhe me stuhi të forta. Për këtë arsye do t'ju luteshim të shmangni lëvizjet e panevojshme me automjete në akset problematike nga përmbytjet si dhe parkimin e automjeteve në to".

Bashkia njofton se "paralajmërimet e meteorologëve për fortuna kërkojnë të jemi të kujdesshëm! Për çdo nevojë urgjente kontaktoni në "Facebook" me Ujësjellës Kanalizime Vlorë. Kujdesuni për veten dhe familjet tuaja!", thuhet në postimin e bashkisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë