Ngjarje

Paralajmërimi, Shqipëria rrezikon të shndërrohet në rrugëkalimi refugjatësh

Shqipëria rrezikon që të shndërrohet në një rrugëkalimi të një vale të re emigrantësh me burim nga Lindja e Mesme, të ngjashme me atë të 2015-2016, në kulmin e luftës në Siri. Paralajmërimi jepet mes rreshtave të raporteve të agjencive inteligjente dhe atyre ligjzbatuese të Bashkimit Europian, të zbuluara nga “Global Watch Analysis”.

“GWA” thotë se raportet janë analiza të detajuara të skenareve hipotetike në vazhdën e përshkallëzimit të përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga njëra anë dhe Iranit dhe Turqisë nga ana tjetër.

“Irani mund të përdorë kartën e refugjatëve si presion ndaj Bashkimit Europian, në mënyrë që ky i fundit në rastin më të keq të mos i bashkohet një ofensive të mundshme ushtarake amerikane dhe në rastin më të mirë ta parandalojë atë përmes diplomacisë”, thuhet në njërin prej këtyre raporteve.

Teherani strehon mbi 3 milionë afganë të zhvendosur nga zonat kufitare mes dy vendeve si pasojë e aktivitetit të vazhdueshëm të talebanëve. Kontigjenti i refugjatëve afganë, duke u shtuar edhe atë të refugjatëve ekonomikë nga Pakistani dhe vende të tjera të rajonit do të përplaseshin në portat e Turqisë në përpjekje për të arritur vendet e Bashkimit Europian.

Raportet kujtojnë se mes Turqisë dhe BE-së është në fuqi një marrëveshje parandalimi të flukseve të refugjatëve që prej kulmit të krizës siriane. Marrëveshja i siguron Ankarasë miliona euro në vit investime dhe ndihmë për përballimin e krizës humanitare, në këmbim të mbylljes së kufijve të saj.

Deri më tani, Turqia e ka respektuar relativisht kënaqshëm këtë marrëveshje, por marrëdhëniet e acaruara si me SHBA, ashtu edhe me Bashkimin Europian mund ta çojnë Ankaranë në hapjen e këtyre portave dhe derdhjen e një vale të re emigrantësh për nga përmasat edhe më të mëdha se ajo e katër viteve më parë.

Një sinjal kërcënues se kjo mund të ndodhë e ka dhënë ministri i Brendshëm turk, Sulejman Sojlu.

Ministri i Brendshem turk, Sulejman Sojlu, Gazeta Si, 4 gusht 2019

“Nëse ne hapim Izmirin sot, 30 deri në 35 mijë refugjatë do të kalonin brenda një dite. Nuk po kërcënoj Europën, por thjesht po e them si fakt se çfarë mund të ndodhë nëse ne vendosim që të hapim portat”, deklaroi ai.

Në këtë skenar, Ballkani do të shërbente si rrugë kalimi, ku porta hyrëse do të ishte Greqia. Qeveria e re greke ka në programin e saj përforcimin e kontrolleve kufitare dhe parandalimin e refugjatëve, por përballë një krize të përmasave të tilla nuk do t’i mbetej asnjë rrugëzgjidhje tjetër përveçse hapja e portave të kalimit të tyre.

Vendet e para që do të përballeshin drejtpërdrejtë me këtë skenar janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kjo e dyta është shfrytëzuar maksimalisht gjatë krizës së refugjatëve sirianë në 2015-2016, por mbyllja e kufirit nga ana e Hungarisë dhe Kroacisë do të detyronte refugjatët që të kërkonin një shteg të ri kalimi.

Sipas Global Watch Analysis Shqipëria do të jetë mundësia më e mirë e tyre. Mungesa e kapaciteteve pritëse dhe ajo e kontrollit dhe strehimit të një fluksi prej minimumi mijëra refugjatësh në vit do ta shndërronte vendin tonë në një mjedis të volitshëm edhe për grupet e trafikantëve, që kundrejt pagesave të majme do të kalonin përmes Adriatikut, ose kufirit tokësor me Malin e Zi refugjatët në fjalë.

"Global Watch Analysis" kujton se për momentin gjithçka është në kuadër të skenareve parashikuese, por që sa më shumë përshkallëzohet përplasja SHBA-Iran dhe SHBA-Turqi, aq më të mëdha janë gjasat që të realizohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë