Filma

Paradoksi / Pse filmat e frikshëm mund të jenë pozitivë për shëndetin mendor të njerëzve

Frika i hynte në palcë dhe ajo i shfaqej natën në formën e makthit. Prandaj Mathiasi i vogël u përpoq të mos i shikonte ata filma: ndërronte kanal, mbyllte sytë ose fikte televizorin. Por gjithçka ndryshoi kur u bë adoleshent. Rastësisht, gjeti një mini-serial të quajtur Apokalipsi, mbi një të ardhme distopike pas një pandemie.

Më pas, ai lexoi librin mbi të cilin ishte bazuar seriali. Autori ishte nga Stephen King. Ishte takimi i parë i plotë me horrorin. Më pas përpiu të gjithë librat e këtij zhanri që gjendeshin në bibliotekë, pastaj kasetat që ndodheshin në dyqanin e lagjes.

Pa filma si Britma, Hallouin, E Premtja e Datës 13-të, Masakra me sharrë elektrike në Teksas etj. Kishte ende makthe, por kjo nuk e shqetësonte më. Lexonte dhe shihte gjithçka që i përkiste këtij zhanri. Ishte një lloj fiksimi adoleshentesk që shënjoi në fakt gjithë jetën e tij.

Sot Mathias Clasen është 45 vjeç. Ai është profesor i letërsisë, i specializuar në zhanrin horror. Është autor i librit “Pse na josh tmerri”, dhe drejtor i Laboratorit të Frikës Rekreative në Universitetin Aarhus në Danimarkë. Clasen ka një teori të tijën rreth ndryshimit që i ndodhi papritur në adoleshencë.

“Është një trajektore shumë e zakonshme. Më shumë se 95 për qind e prindërve thonë se fëmijët e tyre gjejnë kënaqësi në një lloj frike rekreative. Tek fëmijët e vegjël, ajo nxitet kryesisht nga sjelljet e rrezikshme: loja fizike, ngjitja e një peme shumë të lartë apo ecja shumë shpejt me biçikletë. Por kur rriten, kjo lloj frike bëhet më e kontrolluar. Ata e kërkojnë atë në filma, libra dhe videolojëra”- thotë ai për El Pais përmes një interviste telefonike.

Ky interes nis në adoleshencën e hershme dhe arrin kulmin përpara se njeriu të arrijë moshën 20 vjeç. Më pas, bie gradualisht me kalimin e moshës por nuk zhduket plotësisht. Qeniet njerëzore kanë një magjepsje të çuditshme nga frika. Ne paguajmë para për t’u frikësuar në parqet argëtuese.

Shkojmë në kinema ose luajmë një videolojë sa për të ulëritur nga frika. Ne kërkojmë përvoja që na ekspozojnë ndaj ndjesive të pakëndshme, të cilat na shtyjnë deri në ekstreme. E gjithë kjo është pjesë e asaj që njihet si “paradoksi i terrorit”, një mister për të cilin fushat e psikologjisë dhe neuroshkencës kanë hulumtuar dhe teorizuar prej vitesh.

“Përgjigja e shkurtër është se njerëzit janë krijuar biologjikisht për të gjetur kënaqësi duke luajtur me frikën, pasi ajo krijon një mekanizëm mësimor. Frika rekreative është një hapësirë e sigurt, në të cilën ne mund të praktikojmë rregullimin e emocioneve tona”- thekson më tej Clasen.

Konsumimi i këtyre produkteve kulturore, mund të sigurojë një avantazh adaptiv, duke i përgatitur shikuesit për t’u përballur me skenarë të rinj në jetë. Clasen pati mundësinë ta testonte këtë teori kur bota u shndërrua në një film horror, ngjashëm me imazhet që kishte fiksuar në adoleshence përmes leximeve dhe filmave.

Teksa e gjithë popullata ishte e mbyllur në shtëpi për shkak të pandemisë, ekipi i tij filloi të pyeste vullnetarët se si po përballeshin me situatën. Më pas, u verifikuan teoritë e tij.

“Njerëzit që kishin parë shumë filma horror (veçanërisht të lidhura me viruset dhe pandemitë) raportuan një rezistencë më të madhe psikologjike ndaj stresit se ata që nuk kishin parë. Pra këta filma ishin një mjet për të rregulluar emocionet”- nënvizon ai.

Filma klasikë të zhanrit horror si ‘Britma’, e inkurajojnë shikuesin të zgjidhë misterin përpara se këtë ta bëjë protagonisti. Ky lloj mësimi mund të transferohet në jetën reale. Edhe lista e filmave më të shikuar gjatë atyre muajve e vërtetoi tezën e tij. Ju mund të prisnit që njerëzit të shihnin komedi romantike, por nuk ishte kështu.

Filmi “Sëmundja ngjitëse” (2011), një prodhim i Steven Soderbergh mbi një virus vdekjeprurës që shkatërron planetin, u bë filmi i dytë më i shkarkuar në iTunes gjatë pandemisë, pavarësisht se kishte dalë në treg më shumë 10 vjet më parë.

Konsumi i filmave horror u rrit në mënyrë eksponenciale, duke arritur shifra që kanë mbetur të qëndrueshme që nga ajo kohë. Në vitin 2014, ata përbënin 2.69 për qind të arkëtimeve vjetore, ndërsa arriti në 12.75 për qind në vitin 2021.

“Filmat horror nuk kanë qenë kurrë aq popullorë sa kanë qenë gjatë 3 viteve të fundit. Por unë ende nuk e kam një ide të qartë se pse ndodh kjo”- thekson Clasen.

Mund të ndodhë që në periudha pasigurie, njerëzit kërkojnë shpjegime tek fiksioni, duke e “vaksinuar” veten me një dozë terrori të tolerueshëm, që i përgatit ata për frikën në jetën reale. “Këto lloj filmash na përgatitin në një mjedis të sigurt që të përballemi me stresin dhe ankthin. Dhe me luftën, pandeminë, krizat… Ne kemi shumë të tilla në realitetin tonë të viteve të fundi”- shprehet ai.

Jorge Casanueva është një kritik filmi i specializuar tek zhanri i horrorit. Ai menaxhon komunitetin në internet “Horror Losers”. Edhe ai bie dakord se ky zhanër po lulëzon në aspektin komercial, megjithëse  e vendos këtë sukses brenda stabilitetit historik.

“Temat ndryshojnë për të pasqyruar frikën e shoqërisë... Por në tërësi suksesi i industrisë së filmit horror, nuk ndryshon pavarësisht ulje-ngritjeve të tij”- i thotë ai El Pais me telefon. Por Casanueva ka një teori më praktike se përse horrori është kaq tërheqës për njerëzit.

“Është një gjini argëtuese. Unë mendoj se në një nivel fiziologjik, shikuesi është duke kërkuar një çlirim adrenaline. Ndonjëherë, të kalosh një moment të frikshëm është thjesht argëtuese, sidomos nëse kjo ndodh kur je me miqtë në një kinema”- shton ai.

Por rëndësi ka edhe konteksti në të cilin ne i shohim këta filma. Zakonisht ata nuk shihen vetëm, por në grup dhe kjo për arsye më se të dukshme. Një studim i vitit 2021, i botuar në revistën shkencore “PLOS One”, tregoi se çiftet ndjenin shumë më pak stres duke parë një film të frikshëm me partnerin e tyre, sesa kur e bënin këtë vetëm.

Terrori si ndjenjë është më pak i frikshëm kur ndahet me tjerët. Një studim i fundit nga Universiteti i Torontos analizoi tërheqjen e njerëzve ndaj filmave horror nga korniza e perceptimit parashikues. Kjo teori, pretendon se modeli ynë i brendshëm i botës nuk bazohet domosdoshmërisht tek realiteti, por më tepër tek një interpretim i tij.

Pra truri ynë analizon atë që po ndodh, dhe plotëson boshllëqet e informacionit me atë që ai beson se po ndodh. Për këtë arsye, ne mund të lexojmë një fjalë në mënyrë të përsosur, edhe nëse asaj i mungojnë shkronjat. Ose të interpretojmë imazhin e një enigme, edhe nëse ajo nuk i ka të gjitha pjesët.

Por që ta bëjmë këtë, kërkohet një informacion paraprak, si p.sh të kesh lexuar më parë atë fjalë, ose të kesh parë një peizazh të ngjashëm me atë enigmë.

“Kjo është arsyeja pse filmat horror janë të përsosur, pasi na japin informacion rreth konteksteve në të cilat nuk kemi qenë kurrë”- shpjegon Mark Miller, autori kryesor i studimit, studiues në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Torontos, Kanada.

Filmat horror bazohen në skenarë dhe situata të njohura. Ata riprodhojnë stereotipe dhe klishe. Ato ofrojnë sinjale për atë që do të ndodhë, me elementë të tillë si muzika. Por në të njëjtën kohë, një nga mekanizmat kryesorë të tmerrit është elementi i befasisë, i cili zakonisht ndodh në një kthesë përfundimtare të papritur, ose në formën e tij më bazike: frikën e papritur.

“Në një farë mënyre, mund të themi se filmat horror janë krijuar për sistemin tonë: ato kanë një ekuilibër mes të parashikueshmes dhe të papriturës. Nëse e mendojmë njeriun si një makineri që dëshiron të mbledhë informacion për të minimizuar surprizat, ky lloj trajnimi është i përsosur”- shprehet Miller.

Burimi: El Pais. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë