Ngjarje

Parada e LGBTI në Tiranë: Kërkojmë ende të drejtat tona

Parada e krenarisë, që mbahet nga anëtarët e LGBTI, ka bërë bashkë sot anëtarët e komunitetet dhe shumë mbështetës të tyre, të cilët marshuan në Tiranë për të kërkuar të drejtat e tyre. Shpeshherë është thënë se të drejtat e LGBT janë të garantuara nëpërmjet legjislacionit kundër diskriminimit, por teksa ata kalojnë në rrugë shumë njerëz ende i shikojnë në mënyrë të çuditshme. Që prej vitit 1995, aktiviteti seksual brenda së njëjtës gjini është dekriminalizuar në vendin tonë. Parada ashtu si çdo vit synoi ndërgjegjësimin e njerëzve mbi të drejtat që kanë dhe që duhet të kenë anëtarët e këtij komuniteti. Xheni Karaj, drejtore e Aleancës LGBTI tha për Gazetën “Si” se parada ka nisur në vitin 2012, kur ishin vetëm 12 veta që protestonin.

“Më shumë se një protestë për të drejtat që fatkeqësisht komuniteti LGBTI nuk mund t'i gëzojë në një vend si Shqipëria, është edhe një mënyrë për t’u dhënë zemër dhe për t’i bërë anëtarët e tjerë të komunitetit që nuk kanë mundësi të dalin në paradë se nuk janë ndryshe, nuk janë të sëmurë, duhet të pranojnë veten e tyre, të jenë në paqe me veten e tyre dhe pjesës tjetër të shoqërisë që duhet të kuptojë se nuk ekziston ajo ndarja mes nesh dhe ju,” thotë Xheni.
Sipas saj mesazhi për këtë vit ishte, “marshojmë edhe për ty”, një mesazh solidariteti jo vetëm i komunitetit, por një mesazh për të krijuar mundësi që të solidarizohen të gjithë njerëzit. "Siç e dimë, jetojmë në kohë shumë të vështira, ku varfëria është problem, ku arsimi është problem, ajo çka na duhet është solidaritet dhe paqe e jo urrejtje me njëri tjetrin,” shton Karaj.

Sipas saj, ka akoma shumë për të bërë për të drejtat e LGBTI në Shqipëri. Ajo thotë se duhet vullnet më i madh politik, që të çojë përpara këtë kauzë dhe jo vetëm dokumente dhe shkresa që qëndrojnë të mbyllura nëpër institucione. Sipas një raporti vjetor të prezantuar kohët e fundit në një konfererencë të komunitetit, niveli i braktisjes së shkollës nga të rinjtë e këtij komunitet është rritur ndjeshëm. Bullimzi, tallja dhe dhuna duket si ishin arsyet kryesore për këtë fenomen. Karaj u shpreh në konferencë se rreth 734 persona që frekuentojnë qendrën e Aleancës Kundër Diskriminimit ishin të gatshëm për të plotësuar formularin e raportit. Nga rezultatet doli se rreth 3 % e tyre nuk kanë kryer një shkollë, 6% e tyre kanë përfunduar vetëm arsimin 9-vjeçar, 41% prej tyre kanë përfunduar ose janë duke kryer arsimin e mesëm, 46 % prej tyre kanë përfunduar ose janë duke kryer arsimin e lartë, si dhe 4% prej tyre kanë përfunduar ose janë duke kryer arsimin pasuniversitar. Gjithashtu, sipas saj, gjatë vitit të kaluar ka pasur 3 raste të denoncimit të dhunës në polici, por asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh.

Sipas aktivistit Arbër Kodra, të ndryshosh mendjen dhe zemrat e njerëzve do kohë, pavarësisht se komuniteti është në një lëvizje 10-vjeçare duke kërkuar të drejtat e tyre, ka akoma për të bërë.
“Vërtet që ka një legjislacion, ka një mbështetje për disa gjëra, por ky legjislacion duhet të implementohet, që të jemi të gjithë qytetarë të barabartë të këtij vendi. Nuk duhet të viktimizohemi sepse në fund të ditës të gjithë diskriminohemi,” thotë ai për Gazetën “Si’.
Gjithsesi Kodra shprehet se për sa i përket respektimit të të drejtave të komunitetit, vendi ynë është pak më mirë se vendet e tjera.
“Unë kam qenë për dy vjet në bordin e organizatës më të madhe rajonale që quhet ERA, nga 2015 që është krijuar deri në 2017. Kam qenë i vetmi shqiptar në atë bord dhe duke qenë se kam punuar shumë me rajonin mund të them se Shqipëria është pak më mirë se vendet e rajonit. Sigurisht që ekziston homofobia dhe diskriminimi, megjithatë jemi në një rrugë të mirë mund ta themi, por ka akoma njerëz që është shumë e vështirë të pranojnë veten,” shton Kodra.

Në festën LGBTI në Parkun “Rinia”, kishte shumë njerëzish që nuk ishin anëtarë të komunitetit, por që mbështesnin aktivitetin e tyre. Elizabeta, një vajzë 18-vjeçare, tregon se ka shumë miq homoseksualë dhe biseksualë dhe se ka një marrëdhënie të shkëlqyer me ta.
“Ata janë njerëz fantastikë. Çdo vit kam marshuar bashkë me miqtë e mi për të qenë më pranë tyre dhe për t’i mbështetur në të drejtat që kanë,” shtoi ajo.
Kodra shpjegon se pjesë e aktiviteteve të ndryshme, është edhe një projekti “Youth Aktivist For Change”. Projekti është i mbështetur nga Ministria e jashtme e Holandës dhe synon trajnimin e të rinjve nga mosha 15 deri në 24 vjeç për sa i përket regjisë së filmit.

“Përveç kësaj ne do të tregojmë edhe mini-video, për njerëzit, të cilat do të përmbajnë promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTI nëpërmjet artit. Është një projekt dyvjeçar, i cili kryhet në katër vende në rajon,” shtoi Kodra.
Gjithashtu edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me anë të një postimi një ditë më parë u tregua mbështetës ndaj këtij komuniteti. “Në Tiranë, je i lirë të duash kë të duash, të jesh kush do që të jesh. Lyem logon e qytetit për të përshëndetur komunitetin LGBTI në këtë ditë të veçantë kundër homofobisë dhe transfobisë.” shkroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë